Vrasjet, krimet e pasionit dhe atentatet ishin të shumta përgjatë vitit 2018. Një ndër lajmet më të bujshme e mediatike ishin pikërisht dy atentatet e fundit, një në Laprakë dhe tjetra në Elbasan. Vetëm para pak javësh, një atentat ndodhi në zonën e Laprakës, ku i mori jetën 17-vjeçares, Griselda Gjikolaj dhe mbeti i plagosur i dashuri i saj 23-vjeçar, Erion Benga. Dy ditë përpara se të përfundonte viti 2018, mbetën të vdekur Endri Alibeaj, Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay nga një atentat në qytetin e Elbasanit.
Një ndër krimet e pasionit më të njohura dhe më të bujshme në Shqipëri ishte pikërisht vrasja e Ariela Muratit nga ish i dashuri i saj, Aldison Belulaj. Ky i fundit, qëlloi edhe veten me armë ku ndërroi jetë disa ditë pas Arielës.
Mario Majollari ishte një tjetër viktimë e gjakmarrjes. I kthyer nga Suedia, Mario u vra nga Kastriot Gjuzi në muajin prill. Kujtojmë se babai i Mario Majollarit kishte vrarë vëllanë e Kastriot Gjuzit në vitin 2000, ku për këtë ngjarje vuan dënim të përjetshëm.
Xhuljeta Çuni ishte një tjetër viktimë e krimit të pasionit. 19-vjeçarja u vra nga Xhaferr Mata. Xhuljeta e refuzonte vazhdimisht 31-vjeçarin dhe kjo ishte arsyeja pse Xhaferri qëlloi me armë mbi të.
Një ndër ngjarjet më të tmerrshme ishte masakra në Selenicë. Ritvan Zykaj vrau 8 pjesëtarë të familjes së tij në Vlorë. Ai akuzohej për vjedhjen e pulave dhe pikërisht kjo ishte arsyeja e vrasjes së dy familjeve. Mësohet se 24-vjeçari vuante nga çregullime mendore.
Në tetor, një tjetër vrasje ndodhi në zonën e ish-Bllokut, ku mollë e sherrit ishte pikërisht këngëtarja e njohur për publikun shqiptar, Elvana Gjata. Nga ngjarja mbeti i vrarë Fabjan Gaxha dhe u plagosën dy persona të tjerë.
E bujshme ishte edhe vrasja e Devi Kasmit. Ende mendohet se për vrasjen e tij janë paguar shuma marramendëse. Atentati ndaj tij ishte organizuar nga një grup kriminal.