Me nisjen e vitit të 2019 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për burrat. Kjo pasi, sipas reformës, që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, parashikohet një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit.
Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 60 vjeç e 10 muaj, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension, shkruan Scan.tv. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032.
Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë. Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë.
Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2019 duhet të ketë 36 vjet e 8 muaj.
Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij.