Dalin detaje të tjera lidhur me vrasjen makabre të 29-vjeçares shqiptare Anxhelina Petro, e cila u vra nga i ati Aleko Petro. Mjeku ligjor Chrysavgi Kousi, i cili ka bërë këqyrjen e kufomës, e ka cilësuar krimin si një makabritet. Duke folur për mediat greke, mjeku është shprehur se Anxhelina është munduar gjatë që të mbrohej, por për shkak të goditjeve të shumta nuk ka arritur të shpëtojë.
“Vajza është goditur të paktën shtatë herë me shufër hekuri në kokë. Ajo është munduar të mbrohej, duke ngritur duart lart, për të mbrojtur kokën dhe fytyrën nga goditjet. Nuk e besoj dot që një prind të qëlloj fëmijën me një tërbim të tillë”, u shpreh mjeku. Kousi shton më tej se Aleko Petro ka vepruar me gjakftohtësi, duke pastruar shtëpinë, duke fshehur sendet e së bijës dhe duke e varrosur trupin në kopshtin e shtëpisë. 29-vjeçarja u vra më 2 janar, nga i ati në shtëpinë e tij në zonën e Fox, në Korfuz. Gjithçka duket se ka ndodhur pasi ai nuk pranonte lidhjen e së bijës me një djalë nga Afganistani, me të cilin kishte nisur edhe bashkëjetesën.
***
Vrasja e shqiptares Anxhelina Petro nga i ati në Korfuz është trajtuar gjerësisht në emisionin “Mazi sou” (Me ty) të gazetares së njohur greke, Tatiana Stefanidhu në Skai TV. Gazetarë, analistë dhe specialistë të krimeve, kanë diskutuar dhe kanë zbardhur ngjarjen e rëndë, duke sjellë detaje të reja dhe domethënëse. Në lidhje direkte nga fshati ku jetonte Anxhelina, gazetarja tregoi se më 1 janar, dy prindërit grekë që kanë adoptuar afganin (pasi i vogël kishte mbetur jetim në luftë), dhe vetë djali shoqëruan viktimën në shtëpinë e të atit dhe e lanë që ta merrnin sërish në orën 22.45. Ata e dinin marrëdhënien e vajzës me të atin, një njeri i egër që sillej keq me vajzën. Pak orë më vonë, gjatë një telefonate, i dashuri dëgjoi sherrin e madh që Angelina po bënte me të atin dhe më pas nuk lidhej dot më, pasi telefoni ishte i mbyllur. Në mëngjes fqinja e viktimës, që jeton në shtëpinë ngjitur gjeti celularin e vajzës dhe së bashku me të dashurin afgan lajmëruan policinë.
Gazetarja tregon se gjatë sherrit vajza ishte hedhur nga dritarja në 2 metra lartësi për t’i shpëtuar të atit. Por vrasësi e ndoqi me vrap me shufrën e hekurit në dorë, e kapi në kopsht, ku i dha goditjet fatale dhe në të njëjtin vend e varrosi.
Kamerat rreth shtëpisë tregonin qenin e Angelinës që shkonte vazhdimisht në vendin ku ishte varrosur vajza, dhe kthehej sërish në shtëpi, madje ishte ai që drejtoi policët pikërisht aty. Fqinja greke që ishte bërë edhe kumbara e vajzës, një grua që e mori nën mbrojtje vajzën shqiptare, e përshkruan Angelinën “një vajzë engjëllore”.
Drejtuesja e emisionit Tatiana Stefanidhu transmetoi kronikën e Neës24 me dëshminë e nënës së Angelinës. Pasi ndoqi dëshminë rrëqethëse gazetarja tha: Shikoni sa e varfër është nëna, shikoni këtë grua që nuk e ka parë vajzën kaq vite. E kërkon trupin e vajzës ta qajë në shtëpinë e saj të varfër”, dhe bëri thirrje për ta ndihmuar atë.