Doli nga shtypi romani më i ri i Gani Mehmetajt, "Kalorësitë e Dardanisë". Libri ka 255 faqe me kopertina të forta.
Për romanin "Kalorësit e Dardanisë":
"Gani Mehmetaj, nё shkrimtarinё e tij, ёshtё qëllimor, porositës, praktik, tematik dhe veprues, por edhe kreativ e meditativ. Këtë e dëshmon edhe në romanin që lexuesit e kanë në duar. Vetëm dy vjetët e fundit publikut, ky krijues i është paraqitur me katër romane: “Ëndrra e Madhe, “Zhvarrimi”, “Boritë e apokalipsit” dhe tani me “Kalorësit e Dardanisë”. E kam përcjellë për së afërmi veprën e Mehmetajt dhe vërej se në të gjitha tekstet e tij është prezent një projeksion të cilin e quaj “ripërtëritja kombëtare” jo vetëm si temё letrare, a si ideologji, a si strategji, a si lajtmotiv i tij, por edhe si kasneci, ose zëri i shkretëtirës, që paralajmëron “moçalishtet” antishqiptare në një kontekst të letёrsisё shqiptare që ka nisur nga rilindësit, sikurse Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Gjerasim Qiriazi e më vonë Gjergj Fishta, Faik Konica e Mitrush Kuteli, shkruan Dr Femi Cakollim, studiues i letërsisë.
"Simbolika e qëndresës dhe “fajet” e mosnënshtrimit", mban titullin shkrimi i Muhamet Reçicës, botuar në "Koha ditore".
Romani më i fundit i Gani Mehmetajt, “Kalorësit e Dardanisë”, trajton tablo të gjera jetësore dhe një sfond të një realiteti nga e kaluara jonë historike, duke e përzgjedhur një temë të rëndësishme në gjithë ato përpjekje për mbijetesë etnike, gjeografike dhe identitare të paraardhësve tanë.
Nga shtëpia botuese "Titanic".