Policia italiane: Shqiptarët zotërojnë tregun e heroinës

Hënë, 07 Janar 2019 12:53

Shqiptarët zotërojnë tregun e drogës në gjithë territorin e provincës së Bergamos ndaj duhet të rrisim nivelin e aksionit kundër tyre".

Kështu ka deklaruar për të përditshmen italiane "Corriere de la Serra", Koloneli Paolo Storoni, komandant i Policisë Provinciale të Bergamos.

Sipas tij, në Bergamo tregtimi i heroinës është në duart e trafikantëve shqiptarë, të cilët kanë një rrjet të mirë korrierësh dhe raporte të drejtpërdrejta me grupet kriminale të huaja.

Ndryshe nga Milano, ku tregu i drogës është në duart e Ndraghetas, sipas kolonel Storonit, në Bergamo zotërohet nga trafikantët shqiptarë.

Storoni thotë se në provincën e Bergamos ka një shtim të konsumit të drogës tip heroinë, ndaj duhet  një qasje me e sofistikuar policore kundër trafikantëve e cila të jetë në një linjë të përbashkët me autoritetet gjyqësore.

Ai kërkon rritjen e nivelit të aksionit kundër çdo korrieri të thjeshtë droge deri në nivelet më të larta të organizimeve të tyre.

Storoni: Ne si komandë policie kemi burime e mjete mjaft të mira kundër trafikut të drogës, por ajo çka na duhet të ndryshojmë është qasja e aktivitetit policor ndaj tyre. Çdo sekuestrim i drogës nuk ndikon në këtë fenonem, pasi sapo arreston një korrier, dy të tjerë zënë vendin e tij. 

Por duhet reaguar duke rritur nivelin e investigimit. Puna komplikohet pasi trafikantët përdorin skeda telefonike me një përdorim, por mënyra e veprimit të tyre nuk ka ndryshuar. Përveç kontrollit në territor, duhet rritur niveli i aktivitetit teknik të përgjimeve, burimeve njerëzore dhe ekonomike e autorizimet e duhura. Qasja jonë duhet të jetë e përbashkët me atë të autoriteteve gjyqësore.

Duke iu referuar të dhënave të vitit 2017, në këtë territor është kryer sekuestrimi i sasisë më të madhe të heroinës në të gjithë Italinë.

Më 2017 u kapën 32 kg heroinë nga 622 që ishte sasia e përgjithshme e drogës e sekuestruar në të gjithë territorin.

Login to post comments