Italia nis kërkimet në detin Jon, Greqia fiton 600 miliardë dollarë

Hënë, 07 Janar 2019 15:55

Edhe Italia i ka hapur dritën jeshile kërkimeve për naftë në detin Jon.

Gazeta ‘Corriere Della Sera’ shkruan për një debat që ka lindur së fundmi, pas publikimit të dekreteve përkatëse në Buletinin zyrtar të hidrokarbureve dhe gjeoburimeve, të cilat autorizojnë kërkimin në det, në ‘zonën F’ sipas klasifikimit Italian për kompaninë amerikane Global Med që ka seli në Kolorado.

Sipërfaqja në total shkon në 2200 km2 dhe përfshin dy rajone të Italisë, Bazilikatën dhe Pulian.

Përfaqësues të kësaj të fundit kanë reaguar duke deklaruar se do të kundërshtojnë çdo veprim në det për kërkimin e naftës pasi cenohet ambienti.

Në të vërtetë lejet janë tre, sipas zonifikimit dhe në lejen e kërkimit F. R44. Gm, sipas titullimit në dekretin origjinal, zona kalon në një pikë kufitare me koordinatat e marrëveshjes së delimitimit mes Shqipërisë dhe Italisë.

Të dyja vendet kanë nënshkruar marrëveshjen që në vitin 1992 dhe në këtë rast është disi e vështirë të pritet ndonjë notë nga pala shqiptare. Pa përjashtuar kuptohet tallavanë e Facebook.

Në të tre dekretet përcaktohet se leja është dhënë pa paragjykuar të drejtat e palëve të treta, duke rregulluar në normën juridike korrektesën e palës italiane, ndonëse në detin Jon nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes të tre vendeve kufitare, Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë.

Kërkime në detin Jon, në jugperëndim të Korfuzit ka autorizuar edhe Greqia, e cila pritet që në muajin tetor të ligjërojë gjerësinë territoriale detare prej 12 miljesh.

Kërkimi nga të dyja shtetet fqinj e bën të besueshëm se edhe zona shqiptare e detit Jon është potencialisht naftëmbajtëse, edhe pse deri më sot nuk ka një shprehje interesi në këtë drejtim. Në Itali teknologjia që do të përdoret quhet airgun dhe është me shpërthim, një tjetër arsye kjo që ambientalistët kundërshtojnë.

Ndërkohë në Greqi, Joni, njësoj si Egjeu po shihen si zgjidhje afatgjatë për problemet ekonomike. Në majin e vitit të kaluar, kreu i shoqërisë greke për menaxhimin e burimeve hidrokarbure, Yannis Bassias, deklaroi se Greqia shpreson që të përfitojë 600 miliardë euro në 25 vjet mbi një rezervuar nafte dhe gazi që mendohet se përmban respektivisht 3 miliardë barrela naftë dhe 4 trilion metra kubë gaz.

Login to post comments