Shkollat e Tiranës e zhvilluan mësimin këtë të martë me orë të shkurtuara, për shkak të mungesës së ngrohjes në pjesën më të madhe të tyre, apo të mbingarkesës së rrjetit elektrik.
Në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, nxënësit i gjetëm në oborr.
“Kemi ftohtë, nuk i hoqëm xhupat. Rezistenca nuk mban”, thonë nxënësit.
Një prind pohon se kjo shkollë ka pasur problem me ngrohjen, që kur ai vet ishte nxënës në vitet ’80.
Drejtori i shkollës thotë se kaldaja ka defekt, por sinoptikanët thonë se ditë më të mira do të vijnë.
Në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku”, një pjesë e nxënësve ishin në oborr, ndërsa nga dera doli tekniku që riparoi kaldajën.
Ai tha se kaldaja punon normalisht dhe se ka bërë kontroll rutinë, ndërsa nxënësit pohojnë se kaldaja nuk punonte dhe se sapo ishte rregulluar.
Probleme me ngrohjen, këto ditë në Tiranë kanë pasur edhe shkollat private, veçanërisht ato 9-vjeçare. Kjo ka bërë që shumë fëmijë të mos e nisin mësimin ditën e hënë, si të gjithë, e të vijojnë pushimet.