Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet pas rastit skandaloz të denoncuar nga emisioni “Stop” në Tv Klan për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi.
Në një njoftim për mediat, Prokuroria thotë se: “Duke u nisur nga pamjet filmike të transmetuara në datën 08.01.2019 në emisionin “Stop” të televizionit “Klan”, kryesisht, ka rregjistruar proçedim penal për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 319/ç të Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë duke u kryer veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë penale të personave të përfshirë”.
Një grua e divorcuar që kërkonte kujdestarinë e fëmijës me proces gjyqësor, u përball me kërkesën e gjyqtarit Roland Hysi që kërkonte para dhe favore seksuale nga zonja në fjalë.
Emisioni “Stop” ka denoncuar përmes kamerës së fshehtë bisedat e bëra me gjyqtarin Hysi dhe veprimet amorale të këtij të fundit. Në këtë çështje është përfshirë edhe psikologia Elona Meçani, e cila bën rolin e sekseres, dhe disa gjyqtarë të tjerë.
Gjyqtari i Fierit Roland Hysi i kërkon seks për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës gruas që ka denoncuar rastin. Po kështu zonja i jep psikologes 500 Euro për Hysin, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera në mbyllje të gjyqit.