Përmbytjet/ Ja si Rama e Veliaj mashtruan bizneset dhe banorët në autostradë

E mërkurë, 09 Janar 2019 19:46

Bizneset në zonën e Kasharit në kryeqytet të cilët janë përmbytur dy herë i bëjnë apel institucioneve të marrin masa që të mos përsëriten përmbytjet sërish. Në një prononconim për News24 dhe BalkanWeb përfaqësuesit e bizneseve thonë se nuk janë kompensuar për përmbytjet e kaluara, ndërsa kërkojnë plan afatgjatë për zgjidhjen e problemit.

“Kanalet anësore nuk janë pastruar. Ndihemi të rrezikuar. Kërkojmë një ndërhyrje emergjente në këto kanale dhe në përroin e Limuthit. Të zhbllokohen kanalet dhe kërkojmë një plan nga shteti. Ekspertët na premtuan për një plan afatgjatë për kanalizimet, por është bërë vetëm një ndërhyrje, ndërsa nuk shohim projekt afatgjatë. Kërkojmë nga shteti që të marrë masa për të mos përmbytur këto biznese sepse kemi hedhur para”- thotë një përfaqësues i biznesit.

Sakaq një tjetër përfaqësues biznesi në këtë zonë thotë se duhet ndërhyrje emergjente sepse janë sërish të rrezikuar nga përmbytjet.

“Një përmbytje tjetër do të ishte karastrofike. Ne nuk jemi kompensuar për dëmet nga përmbytjet e viteve të kaluar dhe sërish përballemi me një situatë që përmbytjet mund të ndodhin sërish. Duhet plan afat gjatë për të zgjidhur çështjen. I them kryeministrit që të vendosë dorën këtu. Duhet ndërhyrje emergjente sepse një segment rreth 500 metra është. Ne nuk punojmë dot pa leje sepse edhe vetë kemi ndërhyrë. Këta marrin taksat dhe asgjë nuk bëjnë”- thotë një tjetër përfaqësues i biznesit.

Modifikuar më E mërkurë, 09 Janar 2019 19:52
Login to post comments