Protesta zhvendoset në fakultete, studentët bojkotojnë auditoret

E Enjte, 10 Janar 2019 08:27

Studentët kanë vendosur të protestojnë me bojkot në prezencë.

Jo duke ndenjur në shtëpi, por duke shkuar në fakultete.

Ora 08:00 ka mbledhur të gjithë studentët nëpër fakultetet e tyre. Jo për të bërë mësim, por për ta penguar zhvillimin e tij edhe për ata pak studentë që kanë shkuar aty për këtë qëllim. Ata studentë shembullorë e paqësorë protestues në krye të herës tashmë janë hedhur në aksion.

Me karrige e banka kanë zaptuar korridoret, duke krijuar kaos me qëllim për të mos lejuar shokët e tyre e as pedagogët të bëjnë mësim. Në fakultete të tjera, aktivistë të protestës kanë gjetur një formë të sofistikuar ndalimi. Çdo studenti që futet në derë i thuhet që në fillim të kthejë, pasi nuk ka mësim.

 
Palë me ta duket se janë bërë edhe disa pedagogë. Nën zë, ata thonë se nuk mund të hapin leksionin a seminarin me dy a tre studentë, duke ua komunikuar këtyre të fundit lajmin në korridor. Por kjo nuk ka eliminuar mundësinë e devijimit për disa studentë, kryesisht vitparistë. Përveç Fakultetit Ekonomik dhe Shkencave Sociale, në disa universitete të tjera angazhimi i strukturave drejtuese ka mundur të kthejë në auditore një pjesë studentësh. Kjo është tabloja e përmbledhur pas vëzhgimit në disa prej fakulteteve kryesore në Tiranë, e detajuar më poshtë.

UNIVERSITETI I TIRANËS
Salla e madhe që përdoret për konferenca dhe leksione në Fakultetin e Shkencave Sociale mbushet këto ditë plot e përplot me të rinj që diskutojnë mbi protestën, mes tyre dhe pedagogë. Por, ndryshe nga mbledhjet e mëparshme, ku diskutohej forma sesi do të protestohej, dje u vu në pikëpyetje edhe fakti nëse duhet të ketë protestë.
Te Drejtësia, gjërat janë të ndara. Ata që duan mësim, shkojnë direkt sallën e caktuar që në krye të vitit akademik, ndërsa të tjerë e kanë të qartë destinacionin: salla 402. Edhe pse me vonesë, aty mblidhen zërat revoltues që përcaktojnë mbarëvajtjen e protestës, itinerarin dhe jo vetëm. Oborri i përbashkët i Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe Gjuhëve të Huaja gëlon nga të rinjtë, por asnjë s’është për mësim.
Disa të rinj kanë marrë inat shokët e tyre të grupit për faktin që nuk i kanë lejuar të shkojnë në auditor duke shkaktuar kaos, ndërsa një pakicë me megafon në dorë ka zaptuar korridoret e katit të dytë e të tretë me këngë atdhetare dhe ato të krijuara rishtazi në këtë protestë.

Çarçafi “BOJKOT”, i vendosur këtë të hënë në ballinën e godinës, është zëvendësuar nga shkrim me bojë i shoqëruar nga hashtagjet drejtuar Kryeministrit @me studentët dhe @plotëso kërkesat. Thirrjet për bojkot e protestë masive kanë prekur edhe shtyllat elektrike në dalje të fakultetit. Asnjë shenjë për leksione a seminare në Fakultetin e Ekonomisë. Ekrani i madh, sa vë këmbën në fakultet, njofton se ka nisur nga sot mbledhja e dokumentacionit për reduktimin e tarifës për 3700 studentë përafërsisht në të gjithë vendin, në një kohë kur vetëm ky fakultet në tre vitet e bachelorit ka kaq të tillë.

POLITEKNIKU
Që në hyrje të Universitetit Politeknik, shashka që ndezi protestën e madhe, disa studentë janë ngujuar te dera për të njoftuar këdo që sheh që ngjit shkallët, se nuk ka mësim. E në fakt, kjo qëndron disi. Një vëzhgim, në çdo sallë në pesë kate vërteton atë që të rinjtë thonë. Përveç një klase, salla 603, që duket se ka devijuar nga vendimi i masës. Më pak se dhjetë studentë zhvillojnë orën e dytë të mësimit, me qëllim për të mos pasur mangësi në sezonin e afërt të provimeve.

Ndërsa të tjerët nuk i druhen fare. “Ne vetëm një muaj mësim kemi bërë, nëntorin, sidoqoftë nuk do futeshim në sezon me aq mësim sa kemi bërë. Gjithçka është e qëllimshme. Studentë që nuk i kemi parë në asnjë seminar dhe pedagogë që rrallë vijnë në leksione, tani po na japin shembull se si bëhet mësim. Por ne jemi shumica dhe jemi të vendosur për të mos pasur kthim mbrapa me kërkesat tona”, shprehet një student i Inxhinierisë Mekanike. Shpresa e tyre e vetme është përgjigjja e Rektoratit për shtyrjen e provimeve pas kërkesës që jo vetëm këta, por thuajse çdo dekanat ka bërë.

Login to post comments