Ndërsa studentë nga 3 fakultete, ai i Juridik, Ekonomik dhe i Inxhinierisë së Ndërtimit vijojnë ngujimin e tyre prej disa ditësh, tashmë atyre u është shtuar edhe një tjetër fakultet. Bëhet fjalë për Fakultetin e Mjekësisë.
Lajmi është bërë i ditur nga studentët e këtij fakulteti, të cilët shprehen se duke parë zhvillimet dhe ecurinë e protestës në të gjitha fakultetet e vendit, do të përshkallëzojnë protestën e tyre duke u ngujuar.
Në këtë njoftim, thuhet se ngujimi do të nisë të dielën në orën 18:00, kohë kur në fakultetin ekonomik është vendosur për tu zhvilluar një mbledhje mes studentëve.
Nga ana tjetër studentët e Fakultetit te Historisë dhe Filologjise kanë dalë me një deklaratë kundër vendimeve të rektoratit të Universitetit të Tiranës që bën thirje për vazhdimin e procesit mesimor.
Ja deklarata e plotë e tyre:
Nga ngjarjet e ndodhura ditët e fundit, dhuna e ushtruar nga forcat policore dhe vendimi i marrë nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, në të cilin kërkohet vazhdimi i procesit mësimor, studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dolën më përfundimin që të mos njohin vendimin e rektoratit.
Studentët do të vazhdojnë me bojkotimin e mësimit deri në plotësimin e kërkesave. Studentët presin që Rektorati të dalë në mbrojtje, mbështetje të tyre dhe jo të kërkojë shuarjen e protestës nëpërmjet thirrjes për zhvillimin e procesit mësimor.
Lufta për arsim cilësor do të vazhdojë deri në fund!
Axhenda e ditëve në vazhdim do të publikohet së shpejti.
Studentët e bashkuar për arsim cilësor!
Nga Kordinatorët e Departamenteve.