Keqmenaxhimi i Bashkisë së Vlorës, OSHEE i bllokon të gjitha llogaritë

Premte, 18 Janar 2019 17:26

Në Vlorë vijon saga e problemeve mes dy institucioneve, Sha Ujësjellës Kanalizime Vlorë dhe OSHEE.

Borxhi i prapambetur që ka ardhur në rritje i Ujësjellësit të Vlorës ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka bërë që këta të fundit të bllokojnë çdo depozitë dhe llogari bankare.

Ujësjellësi figuron të ketë një borxh të prapambetur që prej 1993 e në vazhdim ndaj OSHEE, ndërsa ky borxh në vitin 2018 ka arritur në 9 miliardë lekë.

Mes institucioneve është nënshkruar një kontratë një vit më parë, për pagimin e detyrimit me këste dhe brenda një afati të caktuar. Por duket se Ujësjellësi nuk ka kryer asnjë pagesë edhe pas firmosjes së kontratës, kjo ka bërë që OSHEE të kërkojë ngrirjen e çdo llogarie bankare në emër të Ujësjellësit Vlorë.

Burime pranë OSHEE bëjnë me dije se në rast të mosmarrjes së masave nga Ujësjellësi, do të kërkojnë të shkëpusin çdo lidhje të energjisë elektrike ndaj kësaj drejtorie. Përfshi këtu edhe furnizimin me energji të pompave dhe depozitave të qytetit.

Kujtojmë që në 2018 Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi rritje me 134 % te cmimit te ujit, pas kërkesës së Ujësjellësit pasi sipas tyre kjo drejtori nuk arkëtonte të ardhura të mjaftueshme. E megjithë dyfshishimin e çmimit të ujit, kjo drejtori ende nuk arrin të shlyejë detyrimet e sa. Ndërsa sjellim në vëmendje se që prej sida vitesh kanë ndërmarrë reforma për mbledhjen e detyrimeve të qytetarëve familjarë e biznese.

Teksa edhe pse në drejtim të arkës së ujësjellësit kanë kaluar miliarda lekë, në qytet nuk është kryer asnjë investim madhor nga Ujësjellësi e madje nuk janë paguar as detyrimet e këtij të fundit.
Pas bllokimit të llogarive Ujësjellësi nuk mund të kryejë asnjë veprim bankar, ndërsa janë qindra punonjës që rrezikojnë pagat.

Login to post comments