Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të pezullojë hetimet për përfshirjen në narko-trafik të Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pak ditë para se drejtuesja e këtij institucioni, Donika Prela, të përballet me Komisionin e Vetingut.
Krimet e Rënda kanë pezulluar hetimet dhe e kanë rikthyer dosjen tek Policia e Shtetit, për të kryer verifikime të tjera. Praktikisht, “pezullimi i hetimeve” do të thotë që Prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë për personat e përfshirë, pavarësisht se fakti penal mund të ekzistojë.
Ky vendim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, nuk është aspak surprizë, nëse ndiqet hap pas hapi se si kanë vepruar hetuesit me dosjen e njohur me emrin “Babale”. Në një investigim gazetaresk, gazetari Jetmir Olldashi siguroi një audio-regjistrim ndërmjet shtetasit Albert Veliu, i cili deklaroi se kishte komunikuar me Agron (Geron) Xhafaj për të realizuar trafikun e një ngarkese kanabis nga Shqipëria drejt Italisë.
Menjëherë pas publikimit të këtij audio-regjistrimi, Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, u paraqit në mesnatë në Prokurorinë e Tiranës, ku kallëzoi penalisht personat që regjistruan dhe publikuan materialin audio. Ndërkohë, për llogari të një hetimi që sapo kishte nisur Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale të “trafikut të narkotikëve”, bazuar në të njëjtin material, shtetasi Agron (Geron) Xhafaj dha mostrën e tij të zërit tek prokurorët e Tiranës, me qëllim krahasimin me atë që gjendej në audio-regjistrim.
Të nesërmen, Agron (Geron) Xhafaj u nis, me vullnetin e tij, drejt Italisë, për të kryer dënimin e mbetur, të dhënë nga autoritetet italiane për pjesëmarrjen e tij në organizatë kriminale që merrej me trafik narkotikësh në vitet 2000-2001.
Pas largimit të Geronit, kallëzimi i tij iu bashkua hetimeve që po kryente Prokuroria për Krime të Rënda. Kjo e fundit, pasi kreu disa verifikime, vendosi që të merrte nën akuzë personat që regjistruan dhe publikuan materialin audio, përfshirë edhe gazetarin Olldashi, duke anashkaluar tërësisht hetimet për Agron (Geron) Xhafaj.
Ky vendim i prokurorisë së drejtuar nga Donika Prela u mbështet në një ekspertizë të zërit, të kryer në një laborator në Britani. Në bazë të asaj ekspertize, prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë për personat e përfshirë, ndër të tjera edhe masën “detyrim për paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi, të dyshuar për “kallëzim të rremë”, me pretendimin se zëri në audio nuk është i Agron (Geron) Xhafaj.
Por, pasi u publikuan përgjigjet e ekspertizës, rezultoi se prokuroria e drejtuar nga Donika Prela kishte tjetërsuar rezultatet e ekspertizës. Laboratori britanik ishte përgjigjur prokurorisë shqiptare se nuk ishin në gjendje që të përcaktonin nëse zëri në audio-regjistrim ishte i njëjti me mostrën e zërit që i ishte marrë Agron (Geron) Xhafaj, për shkak se mostra e zërit e dhënë në prokurorinë e Tiranës ishte e një cilësie të dobët.
Pra, ekspertiza nuk arriti në një konkluzion të saktë, për shkak se prokurorët e Tiranës ia kishin marrë mostrën Agron (Geron) Xhafajt me cilësi shumë të dobët.
E, megjithatë, për Prokurorinë e Donika Prelës, përgjigja pa konkluzion e laboratorit britanik, mjaftoi që të mos merreshin as formalisht me vëllain e Fatmir Xhafajt, por të kthehin projektorët e hetimit të denoncuesit e dyshimeve për përfshirjen e Geronit në narko-trafik.
Dhe, pasi realizuan të gjithë mekanizmin për të shmangur Geronin nga hetimet, Prokuroria për Krime të Rënda vendosi së fundmi që të pezullojë tërësisht veprimet e saj ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm.
Vendimi për pezullimin e hetimeve ndodh pikërisht kur drejtuesja e Krimeve të Rëda, Donika Prela duhet të përballet me Komisionin e Vetingut. Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, prokurorja Donika Prela do të jetë në seancë dëgjimore paraditen e 22 Janarit.