Ndalet koha në kopshtin e Prrenjasit, kushtet si para vitit 1990

E mërkurë, 23 Janar 2019 22:24

Kamera e emisionit BOOM ka shkuar në qytetin e vogël të Prrenjasit, për të parë kushtet e kopshtit publik të këtij qyteti.

Aty duket sikur koha ka ndaluar, pasi kushtet janë njësoj si ato të para viteve 90.

Kopshti është akoma me soba druri, krevatet për shkak të hapësirave të pamjaftueshme i kanë vendosur njëri mbi tjetrin, pasi nuk kanë vend ku t`i hapin. Krevatet janë si ata të materniteteve para viteve 90, metalik, lyer me bojë vaj të bardhë.

Kuzhina e gatimit, nuk ka bufe, por vetëm disa rafte metalike, ku vihen enët. Disa nga dyert e klasave të kopshtit, druri, lyer me bojëvaji ngjyrë jeshile nuk mbyllen, edukatoret i mbyllin me gozhdë. Instalimet elektrike kanë shpërthyer në flakë, dhe akoma duken shenjat e djegies në mur.

Pra kopshti i Prrenjasit është i denjë për tu kthyer në një muze.

Por përveç këtyre vështirësive në infrastrukturë, një tjetër problematikë është ajo e mbingarkesës.  Drejtoresha e kopshtit thotë se çdo grup ka më shumë se 10 fëmijë nga norma e lejuar.

Drejtoresha: Unë kam 5 grupe me nga 25 sipas dispozitës normative , kur nëpër grupe vijojnë 36 fëmijë.

Gazetarja: Me sa edukatorë janë?

Drejtoresha: Me nga një edukatore . Këto që janë me drekë janë 2, një turni pare, një turni i dytë.

Edukatorja 1: Të ecësh me 34 fëmijë, ata duan vëmendje, duan përqendrim. Unë kur shkoj në shtëpi mendoj, a i kam folur filanit a si kam folur, a e preka, sepse nuk arrihet. Unë këtu kam 11 vite dhe asgjë nuk ka ndryshuar, këtu janë rritur fëmijët e mi dhe unë tani kam dhe nipin e mbesën këtu dhe më vjen shumë keq.

Gazetarja: Këto krevatet pse rrinë kështu njëra mbi tjetrën?

Edukatorja 1:  Sepse nuk kemi vend ku t`i vendosim dhe kur i shtrojmë, mbushim komplet grupin këtu.  Çdo ditë sanitaret i ngrenë në krah dhe i kalojnë këtëj.

Gazetarja: Po ato qenkan pëshëngritëse se këto qenkan dhe hekur?

Edukatorja 1:  Po ça të bëjnë. Sivjet kontribuan prindërit se kisha një raft që ishte shumë skandaloz , kontribuan prindërit blenë dollapët, kontribuan prindërit blenë perdet dhe i falenderoj shumë.

Edukatorja 2:  I vë për të vizatuar më lëvizi ky, më lëvizi ai, janë shumë ngushtë. Lodrat nuk kanë ku ti hapin, rrobat s`kanë ku ti vendosin, pale tualet që nuk kemi, fëmijët duhet të shkojnë nëpër grupet e tjera. Këtu duhej vënë dorë. Unë thashë, këtu nuk ishte emergjente të bëhej kinemaja, më emergjente ishte të behej kopshti.

E nëse vetë stafi i kopshtit ankohet, ata që të çudisin  janë prindërit,  të cilët thonë se nuk janë ankuar për gjendjen e kopshtit e madje disave prej tyre ju duken kushte shumë të mira.

Gazetarja e BOOM kontaktoi edhe me bashkinë e Prrenjasit, e cila thotë se e kanë gati projektin, por fondet e bashkisë janë të pamjaftueshme.

Ani Allkoja, Drejtor i Urbanistikës bashkia Prrenjas: Duke marrë në konsideratë dhe shqetësimin e banorëve kryetarja e bashkisë së bashku më zyrën e urbanistikës, kemi hartuar një projekt, duke futur rikonstruksion e objektit aktual dhe kemi kërkuar dhe ngritjen e një kati shtesë, duke qënë se numri i fëmijëve është në rritje. Projekti për momentin është gati, kostoja arrin shifrën e 28 milion lekëve të reja. Ne po presim të gjejmë donatorë të huaj, presim dhe thirrjen e ministrisë së arsimit për ta çuar këtë projekt. Thirrja e ministrisë së arsimit është buxheti i parashikuar i 2019, ne presim që këtë thirrje ta çojmë sa më shpejt dhe ta vëmë në zbatim projektin. Për këtë vit në nëntor duhet të ishte hapur aplikimi për këtë thirrje, por akoma nuk ka ndodhur. Është një kosto që bashkia nuk mund ta përballoj dot vetëm.

Login to post comments