Në një video, pak muaj përpara se të ndahej nga jeta, Ibrahim Basha shihet duke bërë stërvitje. Ai kishte marrë pjesë në disa misione në Afganistan me trupat ushatarake, ishte tepër i përgatitur, e mbi të gjitha i patrembur.
Fatkeqësisht, Ibrahim Basha u vra pabesisht mëngjesin e 24 qershorit të vitit 2015, në Lazarat. Një grup të rinjsh në Lazarat, të rebeluar nga prania e policisë në zonë, qëlluan me armë të precizionit të lartë në drejtim të autokolonës, ku ishte edhe Basha. Plumbi i qëlluar nga snajperi goditi për vdekje efektivin e Forcave Speciale.
Ngjarja është tepër e mistershme, pasi sot nuk ka asnjë provë të mirëfilltë hetimore për vrasjen e efektivit Basha.
“Është vrarë nga snajperi…snajper me gojë, por jo me shkrim. Kështu thanë ata që erdhën këtu. Erdhën ata dhe u kam thënë kështu, çdo gjë që ndodh në shtet, shteti nuk e publikon. Gabimi më i madh që më keni nxjerrë familjen. Erdhën këtu, edhe u thashë, kur vihet këtu vihet me gojë, jo me televizor”, tha Osman Basha, babai i Ibrahim Bashës.
Sot janë dënuar plot 11 të rinj nga Lazarati për vrasjen e Ibrahim Bashës, mes tyre dy dënime të përjetshme. Babai i Ibrahimit, Osman Basha, në një intervistë për “Top Story” nuk i fsheh dyshimet për gjyqin e vrasësve të djalit.
“Unë dyshimet për të vërtetën i kam thënë shtetit ta zbardhë në pikën e fundit, edhe i kam kërkuar edhe të shkoj në Lazarat ta shikoj, më kanë thënë po s’ka dalë gjë. Ata kanë kapur disa njerëz, se kush janë s’i njoh. U kam thënë dua të jem në gjyq, siç thuhet se mohohen shumë gjëra. Ata bëjnë gjyq me avokatë, unë s’kam pasur avokat. Shteti duhet të ma gjejë, edhe nëse nuk shkoj unë. Atje ku bëhet gjyq, të vdekurin, edhe ai duhet mbrojtur me avokat. Është vrarë shtet jo unë, më është vrarë djali mua, këtë e kam peng”, tha Osman Basha.
Pas vdekjes së Ibrahimit, vëllai dhe njëra prej motrave të tij bëhen pjesë e Policisë së Shtetit. Por, Osmani, baba i 11 fëmijëve, e ka një peng. Ai kërkon që djali tjetër të zëvendësojë të vëllanë në repartin RENEA.
“Më kanë thënë edhe për djalin se ‘e duam se është dëshmori ynë’. U thashë po. Kanë ardhur prapë, u kam thënë po për ta zëvendësuar, RENEA, dhe s’kanë bërë asnjë gjë”, tha në fund Osman Basha.