Hajdutët “grijnë” banesat e shqiptarëve... në 20 ditët e para të 2019 kanë ndodhur 62 vjedhje

E Enjte, 24 Janar 2019 09:02

Rritet numri i grabitjeve të banesave dhe bizneseve në vend krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kështu në 20 ditët e para të Janarit janë regjistruar 62 vjedhje me thyerje, ku pre kanë rënë bizneset e të gjitha kategorive si edhe banesat familjare. Krahasuar me Janarin e 2018-s trendi ka ndryshuar.

Fokusi i hajdutëve nuk është më vetëm tek vjedhjet e shtëpive, por tek bizneset. Madje edhe bankat e nivelit të dytë kanë rënë pre e grabitjeve, përmes thyrjes së bankomateve. Rasti  më i rëndë u shënua në Urën Vajgurore, ku hajdutët vendosën një sasi tritoli për të marrë paratë që ndodheshin brenda një bankomati. Ajo që është më shqetësuese për autoritetet policore është zbulueshmëria e autorëve të grabitjeve në të gjithë vendin.

 

Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka zhvilluar një takim me vartësit e tij si edhe me drejtues të policisë vendore, disa ditë më parë, duke u kërkuar rezultate konkrete në këtë drejtim. Madje burime nga mbledhja me dyer të mbyllura pohojnë për ABC News se disa nga drejtorët e qarqeve më problematike janë kërcënuar nga Veliu me lëvizje nga detyra apo edhe më keq, me lirim prej radhëve të saj.

Gjatë gjithë vitit 2018 u rregjistruan në Tiranë rreth 130 vjedhje të kryer në bashkëpunim dhe nga ato, 22 persona rezultuan si të dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Grabitjet e banesave dhe bizneseve, sipas specialistëve të policisë, shtohen në periudhën e festave të fundvitit si edhe gjatë pushimeve të muajti Gusht. Rastet më të rënda të grabitjeve të bizneseve me armë gjatë vitit 2018, ku pati edhe viktima, ndodhën në Tiranë dhe Fier.

Login to post comments