Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca ka përshëndetur sekuestrimin e e 5.2 mln euro pasuri në Lezhë.
Në një postim në Twitter, Soreca shkruan:
"Sekuestrim i konsiderueshëm i të ardhurave të dyshuara kriminale sot në Lezhë nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit" nga Ministria e Brendshme. Është e rëndësishme që sekuestrimet të pasohen nga vendime përfundimtare konfiskimi. "Ndiqparanë" në luftën kundër krimit."
Llogari bankare me vlerë 5.2 milionë euro dhe 7 apartamente u sekuestruan të enjten në Lezhë në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit".
Llogaritë bankare dhe apartamentet e sekuestruara janë në pronësi të Pjetër Vocit 83-vjeç dhe vajzës së tij Shqipe Palaj 50-vjeçe dhe dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Pas hetimeve të kryera me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me vendimin nr. 17 date 23.01.2019 ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare si dhe të 7 apartamenteve në Lezhë dhe Tiranë.
Nga sa mësohet, ky i fundit është arrestuar disa muaj më parë në Zvicër, duke bërë që dhe policia shqiptare të nisë verifikimet në lidhje me shtetasin në fjalë.
Prokuroria po vijon hetimet, pasi ka dyshime se këto para janë përfituar nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike në Zvicër.