Presidenti i Republikës, Ilir Meta me të një qëndrimi publik ka bërë sot një thirrje të fortë për anulimin e projektit tek Unaza e Re duke i bërë njëherazi thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore të konstatuara.
Në argumentat e tij, Kreu i Shtetit ka renditur edhe provat se si tenderi për ndërtimin e Unazës së Re rezulton i trukuar.
ARGUMENTAT E PRESIDENTIT
– Në këtë mënyrë rezulton e provuar se procedurat e tenderimit për realizimin e investimit në këtë segment rrugor janë shpallur, zhvilluar dhe kanë përfunduar ndërkohë që projekti nuk ishte miratuar ende nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
– Referuar nenit 27, 28 të ligjit nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e terrirorit”, dhe nenit 9, 10/1, të VKM nr. 408/2018 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar në rastin konkret autoriteti përgjegjës sipas ligjit që miraton me Vendim, Projektidenë mbi mënyrën se si një pjesë e territorit dhe një rrugë e kësaj kategorie do të zhvillohet, është Këshilli Kombëtar i Territorit.
Hapja e procedurave të tenderimit, pa një vendim të autoritetit vendimarrës për miratimin ligjor të projektit Këshilli Kombëtar i Territorit, përveç se është shkelje e rëndë ligjore, krijon bindjen se ky proces ka qenë selektiv, i paracaktuar dhe në kushte ekstreme të kapërcimit me dashje direkte të procedurave të detyrueshme ligjore.
– Ndërkohë në zbatim të ligjit nr.10164, dt 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, Këshilli Teknik i ARRSH-së nuk parashikohet si institucion vendimarrës i ARRSH-së, dhe në këtë mënyrë vendimet e marra prej tij nuk kanë fuqi detyruese.
– Këshilli Teknik është një organ rekomandues këshillimor për ARRSH dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por asnjëherë vendimarrës për miratimin përfundimtar dhe dhënien e fuqisë ligjore për Projektet e Zhvillimit të Rrugëve dhe Akseve Kombëtare të kësaj rëndësie. Kjo është dhe arsyeja që Këshilli Teknik e ka miratuar këtë projekt në parim.
– Ndërkohë, është denoncuar dhe faktuar publikisht, procedurat e prokurimit që ka zhvilluar ARRSH janë shumë problematike sepse realizimi i këtij projekti është ndarë subjektivisht në 3-lote të veçanta.
– Ky fakt krijon bindjen se ndarja në 3 lote është bërë me qëllim fragmentarizimin e fondeve në dispozicion, ruajtjen e kufijve monetarë me qëllim shmangien e kompanive ndërkombëtare në këtë proces tenderimi, si dhe çdo veprim është në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Ministrave për këtë fushë.
Siç është faktuar publikisht konkurimi në të tre lotet ka qenë fiktiv. Në çdo lot kanë konkuruar dy kompani, ku e njëjta kompani në të tre lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar.
– Një nga kompanitë fituese të tenderit (DH Albania) ka rezultuar një kompani e krijuar rishtazi me një historik fiktiv dhe me dokumenta të paraqitura të fallsifikuara, çka ka detyruar ARRSH-në dhe Ministrinë e Insfrasktrukturës që pas publikimit të skandaleve në këtë drejtim dhe konfirmimit publik të fakteve të fallsifikuara nga autoritetet Amerikane të zgjidhin në mënyrë të njëanashme kontratën.
Vendimarrja e qeverisë dhe ARRSH-së, për të rihapur procesin e tenderimit për realizimin e kësaj vepre, pas zgjidhjes së kontratës për këtë segment rrugor, e krahasuar kjo me faktet e denoncuara publikisht,vlerësohet si një veprim i nxituar dhe aspak objektiv. Kjo sepse, aktualisht organi i Prokurorisë është duke kryer hetime në këtë çështje, dhe nga ky hetim mund të zbulohen fakte dhe rrethana të cilat mund të sjellin pasoja të drejtëpërdrejta që ndikojnë në mënyrën se si kjo vepër duhet realizuar.