Koncesionarët e hidrocentraleve mund të kenë përfituar rimbursim më shumë sesa vlera që u takon ndërkohë që precedentë të tillë përbëjnë risk të lartë për financat. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një auditim në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ku ka konstatuar ndër të tjera edhe problematikën që lidhet me rimbursimin e TVSH-së që lidhen me mosrespektimin e radhës, njohjen e detyrimeve të rimbursimit dhe zbatimin e kësaj procedure para se vlera e investimit të njihet nga shteti apo më keq akomazvarritje vit pas viti.
“Risk të lartë në vlerësimin tonë si auditues të jashtëm shtetëror paraqet procesi i trajtimit nga ana e administratës tatimore të rasteve të rimbursimit të TVSH-së për kontratat konçesionare në fushën e energjisë (HEC), ku nga ana kësaj administrate certifikohet dhe paguhet TVSH-ja për vlera punimesh të cilat tejkalojnë vlerat e kontraktuara me Shtetin Shqiptar të cilat janë të pa martuara prej organeve kompetente sipas detyrimeve kontraktuale por dhe legjislacionit të fushës përkatëse” vlerëson KLSH. Nga ana tjetër raporti nënvizon se mungojnë analizat dhe vlerësimet e hollësishëm të punimeve referuar projekteve, grafikut të punimeve të paraqitura.
“Në shumicën e rasteve grupet e kontrollit për këta tatimpagues të cilat kërkojnë vlera të mëdha financiare dhe kanë një numër të lartë transaksionesh përbëhen vetëm nga një inspektor duke rritur riskun operacional për trajtimin e duhur të tyre. Megjithëse vlerat e punimeve për veprat e ndërtimit nuk janë përfunduar dhe testuar ende, për to vijon rimbursimi i TVSH-së pavarësisht riskut teknik për funksionimin e tyre dhe garantimin e të ardhurave të tatueshme në vijim të cilat i japin tatimpaguesit të drejtën e zbritjes së tatimit” thuhet në dokument.
Nga numri total i kërkesave të miratuara për rimbursim TVSH-je në vitin 2017 prej 901 të tilla me një vlerë 22.4 miliardë lekë, 15 prej tyre i përkasin hidrocentraleve që kanë një vlerë rreth 5 miliardë lekë. Gabimi në rastin e këtyre miratimeve nga ana e DPT sipas KLSH lidhet me faktin se investimet nuk kanë përfunduar ende dhe nuk janë njohur në vlerë nga shteti shqiptar.
“Njohja nga ana DPT të TVSH-së për investimin total, i cili ende nuk ka përfunduar ende por ka tejkaluar koston e parashikuar të vlerës së investimit duke arritur 2-fishin e saj pa u mbuluar për periudhën me një shtesë marrëveshje (e realizuar pas faktit dhe jashtë periudhës së kontrollit) në gjykimin tonë përbën një precedent të gabuar, si në rastin konkret por dhe për raste të ngjashme vijim, duke certifikuar kështu vlera investimesh të koncesionarit përpara se Shteti Shqiptar nëpërmjet përfaqësuesve të tij të miratojë paraprakisht këto vlera investimi me Vendim të Këshillit të Ministrave” thuhet në raport.
KLSH sjell në vëmendje një rast për një prej kompanive investitore në hidrocentrale të cilës i është njohur dhe kredituar TVSH e rimburueshme të paktën 50 për qind më shumë. Në këto kushte ky institucion ka kërkuar ndërhyrje në ligj për të futur pjesën e rimbursimit brenda kornizave rregullatore.