Nga fatorino në komisioner i PS në zgjedhje, kush është shefi i Policisë në videon e skandalit me 15-vjeçaren

Tuesday, 12 February 2019 16:25

ETLEVA DELIA/ Efektivi i Policisë së Malësisë së Madhe, i cili u arrestua pas publikimit të videoskandalit seksual me një vajzë të mitur, për 7 vjet ka qenë i përjashtuar nga Policia. 

Gjatë kësaj kohe, ai ka punuar si fatorino në autobusin e linjës Shkodër–Koplik. Burime nga Policia e Shtetit thonë se ai asnjëherë nuk ka qenë në pozicione drejtuese, të paktën deri në vitin 2008, kur u lirua nga detyra. Përjashtimi i tij nga Policia erdhi pasi u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.

Në atë kohë, ai punonte si polic roje në dhomat e paraburgimit në Policinë e Shkodrës dhe u dyshua se kishte futur sende të jashtëligjshme në qeli. Berhan Bajrakurti, specialist i policimit në Komunitet në Gruemirë, apo siç njihen në gjuhën policore SPZ, në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe, u arrestua një orë pas denoncimit që nëna e vajzës bëri në media. E ëma e së miturës publikoi një video, teksa inspektori i zonës i tregonte organin gjenital së bijës.

POLICI

Pasi biseduam me disa ish drejtues të Policisë së Shkodrës, mësuam se rreth 11 vite më parë, në vitin 2008, Berhan Bajrakurti është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit për shkelje në detyrë. Megjithatë, mësuam se ai gjithmonë ka qenë në funksione të nivelit zbatues, kryesisht polic rendi. Në kohët që punonte si polic roje në dhomat e paraburgimit në Policinë e Shkodrës, gjatë një kontrolli aty gjetën sende të kundërligjshme. Fillimisht, ai u arrestua si i dyshuar nga SHKB dhe qëndroi i ndaluar për pak kohë.

Më pas, Gjykata i dha pafajësinë, vendim që ai mund ta ketë përdorur për rikthimin në Polici. Pas përjashtimit nga Policia, për një kohë të gjatë ai ka punuar si fatorino në linjën e autobusit Shkodër-Koplik. Ndërsa është pranuar sërish në Polici në fillim të vitit 2015. Gjatë kësaj kohe ka shërbyer në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe.

Nga ana tjetër, mësohet se në zgjedhjet lokale të 2015-ës, Bajrakurti ka qenë komisioner i Partisë Socialiste në Malësinë e Madhe dhe menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor ai është rikthyer në detyrë. Inspektori Bajrakurti është i martuar, baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, njëra e martuar dhe vajza e dytë beqare. Mësohet se vajza që është ngacmuar seksualisht nga polici, është në gjimnaz dhe vazhdon mësimet në shkollën e mesme të Gruemirës.

FUSHATA ZGJEDHORE

Deputetja e Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës, Izmira Ulqinaku, shprehet se polici Berhan Bajrakurti që i dërgonte video erotike vajzës së mitur, është kthyer në punë në vitin 2015. Ulqinaku thotë se Bajrakurti u largua nga dekriminalizimi që iu bë, por pjesëmarrja në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2015 e ndihmoi të siguronte sërish vendin e punës.

“U shastisa sot me rastin e ngacmimit seksual në Malësi të Madhe. Punonjësi i Policisë,i cili ka për detyrë të sigurojë rend e siguri, e shkel i pari, duke kërcënuar jo vetëm të miturën, por edhe familjarët e saj, të cilët kërkuan ta denonconin. Me sa u informova, Berhan Bajrakurti kishte qenë i larguar më parë nga detyra nga dekriminalizimi që u bë, por në 2015-ën, me aktivizimin e tij në fushatë vendore në krah të Partisë Socialiste, iu sigurua edhe njëherë vendi i punës. Si po rritet brezi i ri, kur sa hap televizorin informohen me vjedhje, korrupsione, mashtrime e përdhunime. Të çohemi ta largojmë të keqen nga pushteti absolut, të cilët kanë mbledhur rreth vetes llumin e këtij vendi!”, shprehet Ulqinaku. / PANORAMA

Login to post comments