Në konferencën ‘Për një Shqipëri pa kanabis’ mbajtur sot në Tiranë, e ngarkuara me punë e SHBA-së, Leyla Moses-Ones vuri theksin në vijimin e luftës antikanabis në vend dhe në rëndësinë e vullnetit politik të palëve për të fituar në këtë drejtim.
“Fakti që kemi fituar një betejë nuk do të thotë se fituam luftën. Lufta duhet të vazhdojë. Kultivimi dhe lëvizja e kanabisit janë vetëm një pjesë e problemit tani duhen pengesa me të forta për të ndaluar që trafikantët ta shohin Shqipërinë si një mjedis lejues të akvitetit të paligjahëm. Ky është vendi ku ruajtja e vrullit të reformës në drejtësi është absolutisht vendimtar. Trafikantët duhet të përballen me zinxhirin e plotë të drejtësisë nga arrestimi te procedimi penal i drejtë e dënimi i duhur me burgim. Dhe njerëzit që drejtojnë këto rrjete duhet t’i frikësohen shumë .” U shpreh e dërguara e SHBA në Tiranë ndërsa veçoi arrestimet e bujshme në kuadër të luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotive.
“Kapja e Klement Balilit, Arbër Cekaj e Met Kananit duhet të shërbejnë si gur kilometrazhi në këtë përpjekje afatgjatë. Tani është në dorë të prokurorëve e gjykatave dhe sigurisht të vullnetit politik. SHBA ju mbështet, por ne varemi nga vullneti juaj politik dhe guximi për të vijuar luftën për demokraci e shtet ligjor. Do vijojmë të mbështesim krijimin e SPAK e BKH për të siguruar që politika të mos luajë një rol në mbështetje të këtij aktiviteti të paligjshëm dhe as të mos përmbysë peshoren e drejtësisë në interes të kriminelëve. SHBA qëndron krah për krah me Shqipërinë në këtë luftë. Trafikimi përbën kërcënim për sigurinë kombëtare e ndërkombëtare.” u shpreh zyrtarja amerikane.
“Ne duhet të ndjekim paratë e pista. Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë se Shqipëria nuk është e nuk do të jetë kurrë një mjedis që lejon veprimtari të paligjshme kriminale. Ulja e prodhimit dhe arrestimet të pasohet me sekuestrim të pasurive të kriminelëve.” -vijoi me tej e dërguara e SHBA në Tiranë.