Rritja e çmimeve në ekonominë shqiptare do të jetë modeste edhe këtë vit. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të jetë 1.8%, edhe më i ulët se niveli 2% i vitit të kaluar.
Arsyeja kryesore që do ta ulë inflacionin pritet të jetë forcimi i lekut gjatë vitit 2018. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky forcim do të vazhdojë të japë efekte të ndjeshme sidomos gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Megjithatë, banka qendrore pret që këtë vit kursi i këmbimit euro-lek të jetë i qëndrueshëm dhe pa luhatje të krahasueshme me ato të vitit të kaluar.
Forcimi i shpejtë i lekut në mesin e vitit 2018 motivoi një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, duke blerë euro me qëllim uljen e ofertës së lartë të monedhës europiane.
Ndërhyrja e arriti qëllimin dhe gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar kursi mes euros dhe lekut u stabilizua pranë niveleve ku qëndron edhe sot.
Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet pranë objektivit 3% brenda vitit të ardhshëm. Pavarësisht efektit të përkohshëm të kursit të këmbimit, banka qendrore vlerëson se tendenca afatmesme e inflacionit do të jetë në rritje, e mbështetur nga shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese të bizneseve dhe ulja e papunësisë.
Forcimi i kërkesës së brendshme pritet të sjellë më shumë presion për rritje të çmimeve në ekonomi. Qysh gjatë vitit të kaluar Banka e Shqipërisë konstatoi një rritje të inflacionit të brendshëm, por kursi i këmbimit bëri që kjo rritje të balancohej nga rënia e inflacionit të importuar.
Banka e Shqipërisë është shprehur se stimuli monetar nuk do të ulet para mesit të këtij viti, por, në teori, mosrritja e inflacionit as gjatë vitit 2018 pritet ta bëjë më të largët rritjen e normës bazë të interesit.
Pavarësisht se transmetimi i normës bazë të interesit kërkon disa tremujorë, një ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë në kushtet kur inflacioni është ende i ulët mund të ketë një efekt të padëshiruar psikologjik në treg dhe mund të frenojë rimëkëmbjen e inflacionit.