Përroi ndan fshatin, mungesa e urës izolon banorët e Lumasit në Kuçovë

Saturday, 16 February 2019 18:26

Mungesa e një ure ndan në mes fshatin Lumas në bashkinë e Kuçovës. Ndërtimi i saj ka qenë premtim në çdo fushatë elektorale, por siç thonë banorët, pasi u kanë marrë votën, asgjë nuk është bërë.

Ky përrua ndan në mes fshatin Lumas në Bashkinë e Kuçovës.

Në kohë të mirë, njerëzit dhe makinat kalojnë përmes tij për aktivitetet e përditshme.

Por gjatë muajve me reshje, ai bëhet i rrezishëm dhe gjysma e fshatit izolohet për shkak të mungesës së një ure.

Ky është shqetësimi më i madh për këta banorë.

"Kur vjen lumi këtu nuk ka shans të kalojë asnjeri. Se vdes robi, se sëmuret, nuk do t'ia dijë njeri në botë".

Ndaj banorët ndihen të harruar.

"Është lënë pas dore këtu e 30 vjet demokraci, nuk është vënë dorë fare".

"Asnjeri nuk më ka puthur aq sa më puthin ata kur vinë për vota".

Zona është e njohur për prodhimin e ullirit, por banorët thonë se nuk e kanë ndier kurrë dorën e shtetit.

"Është zonë turistike por nuk vë njeri dorë".

Mungesa e investimeve ndër vite është lidhur me mungesën e fondeve nga ish- komuna, ndërkohë që me të njëjtin problem po haset sot dhe Bashkia e Kuçovës.

Login to post comments