Shoqërohet në polici ish-drejtori i policisë bashkiake, Florenc Hoxha. Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat.
Mësohet se Hoxha po hetohet lidhur me protestën e sotme të opozitës para Kryeministrisë. Ai rezulton të jetë fotografuar nga shërbimet e policisë në protestë.
“BalkanWeb” mëson se Hoxha ndodhej në shtëpinë e tij kur policia i ka shkuar për kontroll, e më pas e kanë shoqëruar në komisariat.
Bëhet me dije gjithashtu se pas përfundimit të protestës u ngrit një grup hetimor që po merret me identifikimin e personave që kryen akte të dhunshme gjatë protestës, duke dhunuar pronën publike. Deri më tani raportohet për 20 persona të arrestuar.
Në ditët në vijim policia thotë se do kryejë të tjera shoqërime.