Mbi 40 të arrestuar pas protestës, ja çfarë ka ndodhur gjatë natës...

Diel, 17 February 2019 08:55

Kanë vazhduar gjatë gjithë natës shoqërimet me dhunë të policisë ndaj qytetarëve të cilët morën pjesë dje në protestën e shqiptarëve. Shkon në 40 numri i personave të shoqëruar për veprime të dhunshme gjatë protestës së të shtunës në Tiranë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se policia ka qenë në punë gjatë gjithë natës dhe ka kryer shoqërime të shumta edhe në Lezhë, Fier e Durrës. Mësohet se verifikime po kryhen ende. Mbrëmjen e kaluar policia shoqëroi 20 protestues, disa prej të cilëve u arrestuan me akuzën për dhunimin e ambienteve publike. Nga kamerat e sigurisë disa prej të shoqëruarve kanë rezultuar të jenë pikërisht personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës dhe janë arrestuar.

Por shoqërimi dhe ndalimi i protestuesve ka shkaktuar tension e përplasje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe policëve. Deputetët e PD-së kanë kërkuar të takojnë protestuesit brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, por oficerët e policisë i kanë ndaluar.

***

Ish-kreu i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha vijon të jetë në policinë e Tiranës që prej shoqërimit të tij mbrëmjen e kaluar. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Hoxha është marrë në pyetje disa herë për protestën e djeshme por nuk i është komunikuar ende arresti.  Hoxha po hetohet lidhur me protestën e sotme të opozitës para Kryeministrisë dhe veprimet e dhunshme të ndodhura gjatë saj. Ai rezulton të jetë fotografuar nga shërbimet e policisë në protestë, ndërsa akuzohet për thyerje të qetësisë publike dhe shkatërrim prone.

Login to post comments