I vetmi i mbijetuar nga atentati me armë zjarri i një dite më parë në Vlorë, Armando Sulejmani, është arrestuar nga policia e Vlorës.
Masa e arrestit i është komunikuar në spital ku edhe po merr mjekim. Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje, pasi i është gjetur në posedim një pistoletë.
Pasditen e 17 shkurtit, Armando Sulejmani, anëtar i ish-bandës së Gaxhait por i hetuar si i përfshirë në një seri ngjarjes kriminale gjatë viteve të fundit në Vlorë, mbeti i plagosur në një atentat, ku dy persona të tjerë u vranë.
42-vjeçari i njohur si Çipuri, mori dy plumba nga breshëria që i shkaktoi vdekjen kunatit Orest Rexho dhe mikut Arjan Hasani.
Tre burrave u bënë pritë në zonën e njohur si "Uji i Ftohtë" dhe aty autorët që mbeten ende të paidentifikuar zbrazën breshëri kallashnikovi ndaj makinës ku udhëtonin.
Njëra nga viktimat u gjet në rrugë, ndërsa tjetra brenda një mjeti, duke ngritur dyshimet se ka tentuar për ti shpëtuar sulmit.
Zona ku u shënua atentati duket se ishte e mirëmenduar për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Disa minuta pas ngjarjes në Babicë u gjet një makinë e djegur, për të cilën ka dyshime se u përdor për atentatin.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm për ngjarjen, por nuk jep detaje për krimin e radhës që dyshohet se lidhet me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale në Vlorë.
Një pjesë pistave që po hetohet është edhe ajo e njohur në Vlorë si seria e hakmarrjes së Llanajve, përgjegjës për masakrën me tre viktima të Çolës, pasi Sulejmani është dyshuar si porositës i atentatit ndaj Ferdinand Llanajt në vitin 2017.
Pasojë e kësaj sage, dyshohet se janë edhe vrasja e Albano Xhaferrit dhe zhdukja e Elvis Troqes, sikurse edhe atentati ndaj ndaj Mikel Mehmetit.
Armando Sulejmani, personazh i njohur i krimit në Vlorë, i ka mbijetuar edhe një atentati më 23 maj të vitit 2016, kur u sulmua pranë shtëpisë me armë zjarri, ndërsa mbeti i plagosur në krah.
Ndërsa Arjan Hasani rezulton i përfshirë në dosjen e përgjimeve për 23 ton drogë në Vlorë.