Atentati mafioz në Vlorë/ Si u vra shoku dhe kunati i ish-pjesëtarit të grupit “Gaxhai”

Hënë, 18 February 2019 10:09

Ngjarja ndodhi mesditën e së dielës, ku të tre këta persona ndodheshin në një makinë tip “Pasat”, në momentin kur janë qëlluar me breshëri automatiku. Nga plumbat, Hasani mbeti i vdekur brenda në makinë, ndërsa Rexho ka arritur të dalë nga makina, por është rrëzuar i pajetë vetëm dy metra larg saj. Ndërsa Sulejmani, i njohur ndryshe me pseudonimin “Çipuri”, ka arritur që të shpëtojë.

NGJARJA

Një automjet tip “Mercedes Benz” i ka prerë rrugën makinës ku gjendej Sulejmani dhe më pas kanë hapur zjarr duke qëlluar me breshëri. Hetuesit thonë se shënjestër e atentatit ka qenë 42-vjeçari Sulejmani. Ky i fundit ka marrë disa plumba dhe ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës në gjendje kritike. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta Policie, të cilat kanë nisur hetimet, trupi i një prej personave është gjendur jashtë automjetit, ndërsa viktima e dytë në brendësi të saj.

Nga Policia është mësuar se ndaj tyre është qëlluar nga një tjetër automjet, i cili mësohet se është larguar në drejtim të fshatrave të Vlorës. Në drejtim të kësaj zone, pak pas ngjarjes, u nisën forca të shumta Policie si dhe u ngritën postblloqe të shumta në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar.

Sipas hetimeve të para, Policia konfirmon se autorët kanë ndjekur deri në fund automjetin e tre personave, duke qëlluar me breshëri dhe mos i lënë shteg për t’u larguar. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Sherishtë. Pikërisht në këtë fshat, Policia gjeti dhe një automjet të djegur vetëm pak minuta pas atentatit. Në brendësi të mjetit janë gjendur tri armë, tip kallashnikov, duke besuar grupin hetimor se është pikërisht mjeti i përdorur nga atentatorët e kësaj ngjarjeje mjaft të rëndë në Vlorë.

Automjeti i djegur është këqyrur nga grupi hetimor, për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme të autorëve, ndërsa armët janë marrë nga këta të fundit për të parë nëse do të gjenden gjurmë apo shenja që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërkohë, mësohet se Policia ka vijuar kontrollet në zonën e lumit të Vlorës, zonë nga ku dyshohet se janë larguar autorët e ngjarjes.

Ngjarja-Vlore-viktima-uji-ftohte3

HETIMET

Armando Sulejmani (Çipuri), i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje të rëndë, i ka shpëtuar edhe një herë tjetër një atentati të kryer ndaj tij në vitin 2016. 42-vjeçari është një emër i njohur për Policinë e Vlorës. Pikërisht pak kohë pasi kishte dalë nga burg, ndaj tij u qëllua me breshëri automatiku.

Atentati ndaj tij u regjistrua në 23 maj të vitit 2016, pikërisht pranë banesës së tij në lagjen “Pavarësia”. Ndaj tij u qëlluan 11 plumba, por vetëm njëri e plagosi lehtë në krah. 42-vjeçari Sulejmani rezulton person i përfshirë në disa ngjarje kriminale në qytetin e Vlorës dhe për këtë arsye, dyshohet se atentati vjen për shkak të hakmarrjes.

Ndërsa kunati i tij, i cili mbeti i vdekur, nuk rezulton person i skeduar. Nga ana tjetër, emri i viktimës tjetër, Arjan Hasani, del në disa përgjime të Prokurorisë për trafikimin e lëndëve narkotike, por ai nuk u arrestua asnjëherë.

Login to post comments