Deputeti demokrat Ervin Salianji ka kërkuar në Gjykatë sot moszgjatjen e hetimeve për çështjen e njohur si Babalja, përgjimin e Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe farsën me dëshmitarë e të akuzuar që e pasoi atë.
I pyetur nga mediat, Salianji tha se ky “është një hetim tërësisht politik; nuk ka asnjë arsye për zgjatjen e hetimeve. Bëhet vetëm për të mbajtur një tymnajë dhe për të mos i dhënë drejtim lidhjes së qeverisë me krimin dhe favorizimit të trafikut të drogës nga ana e qeverisë së Ramës dhe ish-ministrit të tij të brendshëm.
Ne e kemi kërkuar procedurialisht për të mbajtur në dijeni publikun që vazhdon një hetim, jo për personin që sot është në burg në Itali, por për gazetarët dhe ne që e kemi denoncuar.
Qeveria vazhdon të tentojë si në shumë gjyqe të tjera, nuk është i vetmi ky, që unë kam me qeverinë, për denoncimin e aferave të korrupsionit apo lidhjeve të saj me krimin, por njësoj ne do të vazhdojmë t’i denoncojmë dhe pa diskutim për këto arsye ne kemi marrë vendim që na çon tek qytetarët.
Kështu që shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që nesër në ora 10:00 të gjithë para parlamentit.
Ditën e hënë në orën 10:00 – 12:00 u la marrja e vendimit nga ana e gjyqtarit. Nuk ka asnjë shqetësim, asnjë merak nga ana ime. Ka vetëm një merak për zbatueshmërinë e ligjit dhe për nxjerrjen para përgjegjësisë të personave që merren me trafik droge.
Nuk e di se çfarë ka kjo çështje që mund të jetë për 9 muaj, kur gazetari që denoncon, Jetmir Olldashi është ende nën hetim, ndërsa afatet e hetimit për Saimir Tahirin janë mbyllur.”