Në kulmin e protestës së opozitës përpara parlamentit pasditen e së martës, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Efekti ishte i fortë mbi të pranishmit. Lot nga sytë, të vjella dhe bllokim të frymëmarrjes tek të gjithë që rendnin ti shpëtonin tymit. Protestuesit, por edhe krerët e partive u bënë thirrje forcave të rendit të mos hidhnin më tymuese për shkak të efektit shkatërrues që kishte mbi ta.
Nga një foto e siguruar në protestë, duket se policia ka përdorur gaz lotsjellës të tipit “MN-01 Muzzle blast”. Nga një kërkim i thjeshtë në internet ky lloj gazi shpjegohet si “një fishek kimik neutralizues, i destinuar për të kontrolluar trazirat dhe që shkakton paaftësi të përkohshme të turmës së pambrojtur.
Kur hidhet në drejtim të një objektivi të caktuar, ‘MN-01’ kontaminon gjithë zonën dhe “paralizon” përkohësisht turmën. Ai shkakton acarim të fortë, ngacmim të syve, mukozë, kollë dhe frymëmarrje të përshpejtuar, por pa dëmtime të përhershme” – thuhet në shpjegimin e produktit në faqen zyrtare të kompanisë serbe që e prodhon.
Ajo është “Trayal Corporation” me qendër në Krusevac të Serbisë. Kompania thotë në faqen e saj se është në treg që nga viti 1898./