Bumi i ndërtimeve, rritet me 80%, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit dhënë në Tiranë në 2018-n

E Enjte, 28 February 2019 16:02

Sektori i ndërtimit pritet të shënojë një rritje të ndjeshme, nisur nga numri i madh i lejeve të ndërtimit që po jepen, sidomos në kryeqytet.

Të dhënat e publikuara sot nga INSTAT bëjnë të ditur se në vitin 2018, në vend janë dhënë gjithsej 1194 leje ndërtimi, me një rritje prej 46% në krahasim me një vit më parë.
Niveli më i lartë i tyre ka qenë në kryeqytet. Në total, për gjithë vitin 2018 u dhanë 388 leje ndërtimi, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, nga 231 vitin e mëparshëm. Numri i lejeve është shumë më i lartë se disa vjet më parë dhe është rekordi, të paktën që nga viti 2005. Më parë rekordi ishte në 2010-n me 254 leje në total.
Në rritje më të fortë ka qenë sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet. Për gjithë vitin janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katror, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katror, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë.
Lejet në vend
Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt 2018 janë miratuar gjithsej 360 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje prej 70,6 %.
Gjatë vitit 2018 janë miratuar gjithsej 1.194 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 819 leje të miratuara në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 45,8 %.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në tremujorin e katërt 2018 është rreth
618.219 m2, nga rreth 197.130 m miratuar në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje me rreth 3 herë.
Gjatë vitit 2018, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 1.442.783 m2, nga rreth 868.534 m2  miratuar në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 66,1 %.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e katërt 2018 është 22,1 miliardë lekë, nga 9,7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2017.
Ky tregues në tremujorin e katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me rreth  2,3 herë.
Gjatë vitit 2018, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është  59 miliardë lekë, nga 49,1 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2017, duke shënuar një rritje prej 20,1 %.

Modifikuar më E Enjte, 28 February 2019 16:13
Login to post comments