Fushatë promovuese që kërkon të përmirësojë imazhin e Shqipërisë dhe të tërheqë turistë

E Enjte, 28 February 2019 16:22

Nisma ‘Rrëmbyer nga Shqipëria’ u lançua sot në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës. E krijuar dhe e prodhuar me mbështetje nga Programi Zviceran për Sipërmarrjen ajo do të vazhdojë gjatë gjithë 2019 në mediat tradicionale dhe sociale.

Një aktivitet pranë pistës së avionëve në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës synoi të dërgonte mesazhin ‘Rrëmbyer nga Shqipëria’ duke njoftuar fillimin zyrtar të fushatës me të njëjtin emër.

“Le të rrëmbehemi nga Shqipëria. Unë jam rrëmbyer nga njerëzit e saj miqësorë, nga peisazhet e bukura, nga historia e saj mbresëlënëse. Ky vend është i sigurt, mikpritës, dhe interesant. Prandaj të gjithë palët mund të punojnë më shumë për të ndikuar reputacionin – kështu siç po bëni ju sot me fushatën ‘Rrëmbyer nga Shqipëria’, tha Ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maître.

“Më qëllim që të arrijmë synimin tonë për 10 milionë turistë në vit, na nevojitet turizëm për 12 muajt e vitit duke kombinuar kulturën, natyrën dhe trashëgiminë njerëzore”, tha Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha: “Unë jam rrëmbyer nga Shqipëria prej disa kohësh. Nga bukuritë e saj natyrore, trashëgimia e pasur kulturore, ushqimi i shkëlqyer, dhe njerëzit zemërngrohtë! Shpesh lajmi i mirë nuk del në lajme. Duhet të njihni Shqipërinë e vërtetë, përtej paragjykimeve”.

“Unë e di se nëse ka një rrugë të sigurtë ku mund të zhvillohet Shqipëria është turizmi i qëndrueshëm”, tha Blerina Ago, nismëtare e fushatës. “E kam parë gëzimin dhe shpresën që turizmi sjell në zonat më të izoluara të Shqipërisë dhe forcën e transformimit të kësaj industrie duke ndryshuar jetën e banorëve, duke hapur vende të reja pune, më shumë mirëpunësim për të rinjtë dhe të ardhura për komunitetin e sidomos për vajzat dhe gratë”, shtoi Zj. Ago.

Fushata ‘Rrëmbyer nga Shqipëria’ i drejtohet stereotipeve që mbizotërojnë në disa filma dhe media perëndimore dhe përpiqet të tregojë se realiteti është në fakt i kundërt me to. Ajo merr shkas nga filmi ‘Rrëmbyer’ me aktorin e njohur Liam Neeson dhe e fton atë si dhe të tjerët që të vijnë dhe të shohin vetë bukurinë, mikpritjen dhe veçantinë e Shqipërisë.

‘Rrëmbyer nga Shqipëria’ do të vazhdojë përgajtë 2019 dhe do të mbledhë video individuale të regjistruara nga vizitorë dhe vendas në pika të ndryshme të vendit nën hashtagun

#rrëmbyerngashqipëria. Videot më pas do të promovohen online dhe në mediat sociale nga organizatorët e fushatës.

Ideja creative për fushatën erdhi nga Programi Zviceran për Sipërmarrjen i cili financohet nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe punonë për të përmirësuar mjedisin për krijimin dhe menaxhimin e bizneseve të reja. Gjithashtu, projekte të tjera nga qeveria zvicerane kanë mbështetur zhvillimin dhe marketingun e turizmit në disa rajone të vendit.

Login to post comments