Lojërat e fatit “ikin” në Kosovë, 19 biznese me pronarë shqiptarë

Premte, 01 Mars 2019 19:17

Bixhozi dhe lojërat e fatit vazhdojnë të frekuentohen mjaft shumë nga qytetarët në thuajse në gjithë botën. Edhe në Kosovë në qindra lokalet e licencuara të këtij lloj biznesi luhen shuma të mëdha nga qytetarët. Nga ana tjeter shteti i Kosovës merr si taksë për këtë veprimtari miliona euro.

Nga pas lufta e deri më sot në Kosovë janë hapur një numër i madh i lokaleve të lojërave të fatit dhe basteve. Përderisa në Shqipëri po mbyllën, në Kosovë ka shtim të numrit të tyre.

Madje, 19 biznese të tilla të cilat veprojnë në Kosovë, janë me pronarë nga Shqipëria. Prej tyre 2 biznese me pronarë nga Shqipëria janë regjistruar në vitin e kaluar, ndërsa vitin 2017 janë regjistruar 4.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve numri aktual i pikave te basteve dhe lojërave të fatit në Kosovë është 394.

Kurse, sipas të dhënave të Agjencisë Tatimore të Kosovës pika të bastit të licencuara dhe që monitorohen nga ATK janë 301 njësi. Kurse, lokale me automate gjithsej janë 135.

Lojërat e fatit shpesh bëjnë shkelje ligjore, për çka shumë gjoba janë lëshuar nga ATK.

“Nga parregullsitë janë mbyllur 301 lokale të lojërave të fatit gjatë vitit 2018. Ndërsa, vlera e gjobave të lëshuara është 1.7 milionë euro”, kanë treguar në ATK.

Ndërsa, vetëm në muajin janar të këtij viti janë mbyllur 15 lokale dhe janë lëshuar 47 gjoba.

Në vitin 2012, 2013, 2014, dhe 2015 nuk është mbyllur asnjë lokal, për dallim nga tri vitet e fundit, ku për shkak të veprimtarisë së paligjshme janë mbyllur 695 lokale.

Nga viti 2012 e gjerë tani, numri i punëtorëve të punësuar në lojëra të fatit është 6 mijë e 568 persona.

Ndryshe, ndër komunat që ka marrë masa ndaj veprimtarisë së paligjshme që ushtrojnë disa prej tyre, është Drejtoria e Inspektimit në Drenas e cila është e vendosur që të mos e lejojë ushtrimin e veprimtarisë të asnjë lokali të lojërave të fatit që nuk posedojnë dokumentacionin e duhur.

Pa dokumentacion përkatës në këtë komunë janë mbyllur 33 lokale të lojërave të fatit gjatë muajit Dhjetor 2018 dhe Janar 2019.

ATK-ja tregon se çdo subjekt i cili është i licencuar mbikëqyrët nga ATK-ja sipas ligjit 04/L-080 dhe Udhëzimi Administrativ 03/2013.

Subjektet e lojërave të fatit janë të obliguar të paguajnë këto taksa dhe tatime:

-Pagesë të licencave bazë, si dhe licencë për zgjerim aktiviteti në baste dhe në automate.

-Pagesë të akcizës e cila është mujore dhe i paguhet Doganës.

-Pagesë për Tatimin e Mbajtur në Burim për pagat e punëtorëve, si dhe tatimin në qira.

-Pagesë për Tatimin në Fitim sipas deklaratës vjetore.

Bixhozi dhe lojërat e fatit vazhdojnë të frekuentohen mjaft shumë nga qytetarët në thuajse gjithë botën. Sipas disa hulumtimeve, tajlandezët janë numër një në botë që luajnë në lojëra të fatit, e në vend të dytë janë turqit, kurse vendin e tretë e kanë ballkanasit, duke hyrë këtu edhe shqiptarët./Fatos Shala për Monitor.al/.

 

Login to post comments