Sejko marrëveshje me Zvicrën, leksione për menaxhimin e krizave

Premte, 01 Mars 2019 19:18

Një marrëveshje mirëkuptimi midis Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Bankës së Shqipërisë lidhur me zbatimin e fazës së dytë të programit të asistencës dypalëshe dhe zhvillimit të kapaciteteve për bankat qendrore për vitet 2018 – 2022 do të rrisë më tej kapacitet shkencore të Bankës së Shqipërisë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, SH.T.Z Adrian Maître.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se kjo marrëveshje vjen pas mbylljes së një bashkëpunimi të suksesshëm në periudhën 2013-2018, e cila solli dhe një përmirësim të dukshëm të punës analitike, kërkuese dhe teknike të Bankës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, Guvernatori theksoi se rezultatet e këtij projekti bashkëpunimi kanë qenë frytdhënëse në fushën e zbatimit të politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar dhe sistemit të pagesave.

Duke falënderuar Qeverinë Zvicerane për këtë bashkëpunim, Guvernatori Sejko u shpreh se falë marrëveshjes së re, Banka e Shqipërisë do të jetë pjesë e programit të asistencës dypalëshe në fushën e bankingut qendror. “Pritshmëria jonë nga zbatimi i fazës së dytë është që vendimmarrja e politikës monetare të mbështetet nga kapacitete parashikuese të përmirësuara, që formulimi i politikës makroprudenciale të përdorë njohuri më të zgjeruara mbi rreziqe të ndryshme, që kërkimi të pasurohet më tej me metodologjitë dhe praktikat më të mira të kërkimit shkencor. Këto synime qëndrojnë edhe në thelb të strategjisë sonë afatmesme”, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko.

Nga ana e tij, Ambasadori i Zvicrës shprehu vlerësimet e tij për këtë bashkëpunim dhe theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së tij në të ardhmen. Në fjalën e tij Ambasadori Maître nënvizoi se: “Shqipëria ka nevojë për institucione të efektshme në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet. Unë do ta konsideroja Bankën e Shqipërisë si një institucion të tillë. Mund t’ju siguroj se programi për dhënien e asistencës për Bankën e Shqipërisë në ndërtimin e kapaciteteve të saj ka qenë mjaft frytdhënës, falë edhe burimeve njerëzore tejet profesionale që ka ky institucion. Pa dyshim, Banka e Shqipërisë ka qenë një partner i shkëlqyer, aktiv dhe i përkushtuar në këtë bashkëpunim”. Ambasadori shtoi se marrëveshja e re i hap rrugë shkëmbimit të ekspertizës dhe njohurive.

Programi i ri do të realizohet nëpërmjet misioneve të ekspertëve, kurseve online, ëorkshopeve teknike dhe vizitave të punës. Ai do të mbulojë fusha të tilla si menaxhimi i burimeve njerëzore, vijueshmëria e biznesit në kohë krize, komunikimi i kërkimit, etj..

Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike është qendra e ekspertizës së qeverisë federale të Zvicrës, e cila shqyrton të gjitha çështjet kryesore që lidhen me politikat ekonomike dhe ato të tregut të punës. Qëllimi i tij është mbështetja e rritjes së qëndrueshme ekonomike, rritjes së punësimit dhe kushteve të drejta të punës, përmes krijimit të kornizës së nevojshme rregullatore, ekonomike dhe të politikës së jashtme. Që prej vitit 1992, SECO, bazuar në kërkesat në rritje për asistencë teknike në fushën e bankingut qendror, ka mbështetur bankat qendrore të vendeve partnere, nëpërmjet një bashkëpunimi strategjik me institutin e Studimeve për Zhvillime Ndërkombëtare (Graduate institute of international and Development Studies). Bashkëpunimi me disa banka qendrore konsiston, përgjithësisht, në shërbime të përgjithshme këshilluese dhe aktivitete specifike të përshtatura sipas vendit, në formën e Asistencës Teknike dhe të Programeve të Trajnimit (TATPs).

Guvernatori Sejko tha se, nga ky bashkëpunim kemi përfituar mbështetje teknike dhe financiare. Për të kuptuar më mirë plotësinë dhe impaktin e tij, po rendis disa statistika për fazën e parë. Gjatë periudhës 2013-2018, janë realizuar 30 aktivitete me natyrë të ndryshme, ku janë përfshirë 360 punonjës të Bankës së Shqipërisë. Ndër to do të veçoja organizimin e 18 seminareve me tematika të dedikuara për Bankën e Shqipërisë, ku kanë marrë pjesë 270 punonjës. Banka e Shqipërisë ka qenë pjesëmarrëse në 8 konferenca me karakter akademik, në të cilat 87 punonjës të saj kanë prezantuar punët kërkimore shkencore e njëkohësisht kanë marrë komente të vyera për përmirësimin e mëtejshëm të punës së tyre. Tre punonjës tanë kanë pasur mundësinë të vizitojnë institutin e Gjenevës për studime pasuniversitare për një periudhë deri në 6 muaj dhe për të zhvilluar projektet e tyre të kërkimit nën mbikëqyrjen dhe asistencën e profesorëve të institutit.

Sejko tha se, zhvillimi i modeleve të parashikimit e analizës të politikës monetare ka mundësuar një rol më proaktiv të saj, sikundër u pa dhe në administrimin e suksesshëm të presioneve mbiçmuese që patëm mbi kursin e këmbimit gjatë vitit të shkuar.

Falë projekteve të bashkëpunimit të financuar nga SECO, Banka e Shqipërisë ka tashmë modele e metodologji bashkëkohore për vlerësimin e nivelit të përshtatshëm të rezervës valutore – nivel, i cili aktualisht është rreth vlerës 3.3-3.4 miliardë euro, për administrimin e likuiditetit në sektorin bankar, si dhe për përballimin e skenarëve të ndryshëm të goditjes.

Po ashtu, studimi i fenomeneve të ndryshme të funksionimit të sistemit financiar, i ka hapur rrugën zhvillimit e miratimit të një sërë rregulloresh, të cilat – ndër të tjera – kanë përshpejtuar procesin e reduktimit të kredive me probleme dhe do të krijojnë një ambient rregullator më të sigurt e më eficient në administrimin e goditjeve financiare.

Së fundi, bashkëpunimi me SECO-n ka gjeneruar një sërë projektesh, të cilat janë aktualisht në zbatim, edhe në fushën e sistemeve të pagesave. Këtu gjej me vend të përmend strategjinë kombëtare për nxitjen e përdorimit të pagesave me vlerë të vogël, e cila i shërben uljes së kostos së tyre, nxitjes së remitancave dhe rritjes së përfshirjes financiare.

Login to post comments