Është zhvilluar edhe sot protesta e ‘Unazës së Re”, kundër shembjes së banesave, protestë e cila ka hyrë në muajin e gjashtë të saj.
Banorët akuzojnë tashmë edhe policinë e cila provokon duke lejuar makina të futen në mes të turrmës duke rrezikuar edhe jetën e protestuesve.
Njëri prej banorëve tha se ata policë janë të filmuar dhe se nuk do të shpëtojnë lehtë.
“Ne i kemi të filmuar si atë shoferin që hyri në mes të turmës me makinë dhe rrezikoi jetën e banorëve që po protestojnë ashtu edhe policat që e lejuan të futej. Po kjo nuk është policia që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të kriminelëve“ tha një prej banorëve.
Në fjalën e tij, ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve ti bashkohen protestës së madhe të opozitës që do të mbahet më datë 13 prill, nuk ka lënë pa komentuar edhe videon e fundit ku ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli duke kërcyer në një klub nate, edhe pse ka një mal me akuza për bashkëpunim për trafik droge në supe.
“Mirëmbrëma heronj të Unazës. Shikojeni pak në krahun e djathtë se si e ka bllokuar sot rrugën Policia. Po pse nuk i keni bllokuar në fillim, sepse e patë që banorët e “Unazës’ nuk i provokoni dot. Por a kishte gjë më të turpshme se ajo video që është shpërndare në rrjetet sociale. Një njeri që futi drogën në shkollat e fëmijëve tanë, shkon dhe na bredh klubeve të natës dhe na kërcen. Po pse kërcen? Sepse ka përgjime për Edi Ramën. Sepse nuk janë gjykatat që ata vendosin. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, Se si një njeri që rrezikon 20 vite burg gjen kohë dhe na del e kërcen.
Ndërsa çunat tanë qëndrojnë në burg, kurse çuni i krimit, Saje Qorri kërcen në klube nate.
Drejtësia ka rënë në tokë, shteti ka rënë në tokë, dhe ju takon juve ta merrni situatën në dorë. Por kjo nuk ka se si të bëhet kur në krye të qeverisë është kumbari i krimit Edi Rama. Ndaj ju ftoj të gjithëve më datë 13 për të marrë në dorë fatin e vendit”, tha Balliu