Raporti/ Tirana më e shtrenjta në botë për blerjen e një shtëpie

Hënë, 08 Prill 2019 08:39

Kostot e jetesës përfshijnë shumë prej gjërave themelore të përditshmërisë, si të ushqyerit, transporti dhe energjia elektrike që shpenzojmë në shtëpi. Shpesh shtëpitë zënë pjesën e luanit te struktura e kostove. Shqipëria është shembulli i kësaj, ku me çmimet e shtëpive në rritje në zonën afër qendrës Tirana po bëhet më pak e përballueshme, jo vetëm për individët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, por edhe për më të paguarit. Për fat të mirë, shtëpitë në periferi janë ende të lira…

Shqipëria është vendi më i shtrenjtë në botë edhe për punonjësit më të mirë paguar për të pasur një shtëpi në zonën e qendrës, e matur kjo sipas fuqisë blerëse. Një profesionist të punësuar do t’i duhen mesatarisht duhen mesatarisht 50 vite për të pasur një shtëpi në zonën e qendrës. Nga të dhënat e INSTAT, të paguarit më mirë në Shqipëri janë profesionistët e punësuar në sektorin financiar dhe të sigurimeve, me një pagë mesatare prej 104,000 lekë. Por, sa vite do t’u duhen atyre të blejnë një shtëpi në qendër. Një shtëpi rreth 60 m2 në zonat e qendrës, me çmim mesatar 2,500 euro, kushton 150 mijë euro. Ndërsa prej të ardhurave mujore, një profesionist i punësuar përllogarit rreth 3060 euro të ardhura të disponueshme vjetore. Të ardhurat e disponueshme vjetore janë të ardhurat që mbesin pasi zbriten të gjitha shpenzimet dhe taksat.

Ky raport i çmimit të një apartamenti në qendër përkundrejt të ardhurave të profesionistëve me pagën më të lartë në Shqipëri është 49 vjet, pra rreth gjysmë shekulli do t’ju duhet për të blerë një shtëpi në qendër, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në vlerën në kohë të parasë.

Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, sipas përllogaritjeve të Monitor, profesionistit do t’i duhen mesatarisht 23 vite e gjashtë muaj. Çmimi mesatar i apartamenteve brenda unazës së vogël është 1200 euro, ndërsa një apartament 60 m2 kushton 72 mijë euro.

Jashtë qendrës, ku një apartament ka një çmimi mesatar prej 700 euro, një profesionisti do t’i duhet mesatarisht 13.7 vite për të blerë një apartament me vlerë 42 mijë euro dhe sipërfaqe 60m2.

Në krahasim me rajonin Tirana është shumë më e shtrenjtë, teksa tek ne pagat për profesionistët janë më të ulëta dhe shtëpitë më të shtrenjta. Përgjithësisht, aktiviteti ekonomik me pagat më të larta në rajon është ai i sektorit financiar dhe bankar, ku në Shqipëri paguajnë mesatarisht në muaj rreth 850 euro, sipas INSTAT, ndërsa në Maqedoni, Serbi e mal të Zi luhaten në 1100-1380 euro, për të njëjtin aktivitet ekonomik. Ndërkohë shtëpitë në qendër në Tiranë janë shtrenjtuar së fundmi, duke ia kaluar dhe Beogradit, që dikur ishte më i shtrenjti. 

Në Serbi, një profesionisti me pagën më të lartë sipas statistikave zyrtare të Serbisë, do t’i duhen rreth 30 vite për të blerë një apartament në qendër të Beogradit. Paga mesatare më e lartë për profesionistët që punojnë programues dhe IT dhe në sektorin bankar e financiar është rreth  1300 euro. Me të njëjtën metodologji, Monitor ka përllogaritur se të ardhurat e disponueshme vjetore janë 4600 euro. Në qendër të kryeqytetit një apartament 60 m2 kushton 141 mijë euro, ndërsa çmimi mesatar për metër katror të rezidencave referuar të dhënave nga agjencitë ndërkombëtare imobiliare   është 2300 euro. Me të njëjtën pagë, profesionistit në Serbi do t’i duhen 16 vite për të blerë një shtëpi jashtë qendrës së Beogradit.

Në Maqedoni llogaritjet tregojnë se brenda qendrës individët më të mirë paguar atje mund të blejnë një shtëpi për rreth 22.7 vite, ndërsa jashtë qendrës për 13.2 vite.  Paga më e lartë në Maqedoni sipas statistikave zyrtare është 1100 euro për sektorin e IT dhe atyre që punojnë në sektorin financiar dhe të sigurimeve. Çmimi mesatar në qendër të Shkupit është rreth 1500 euro, ndërsa jashtë rreth 900 euro,

Edhe në Malin e Zi të punësuarve me pagën më të lartë do t’ju duhen më pak vite për të blerë një shtëpi në qendër të Podgoricës. Sipas përllogaritjeve një të punësuar në sektorin e IT-së dhe atë bankat e financiar i duhen mesatarisht 19.3 vite për të blerë një apartament 60 m2 në qendër të kryeqytetit. Paga më e lartë sipas statistikave zyrtare të Malit të Zi është 1380 euro, ndërsa çmimi mesatar i shtëpive është 1600 brenda qendrës dhe rreth 1000 jashtë saj.

Në botë, Hong Kong renditet ndër qytetet më të shtrenjta në botë për të pasur një shtëpi, e matur sipas aftësisë blerëse. Një punonjësi të kualifikuar do t’i duhen mesatarisht 25 vite për të blerë një shtëpi (ose gjysma e kohës që do i duhet një shqiptari). Ndërsa në Londër 15 vite, Paris 14, Singapor dhe Tokio  11, dhe në Amsterdam 10. Në Chicago, Boston dhe Los Angelos duhen më pak se 5 vite.

USB Group ka përllogaritur kohën që do t’i duhet një punonjësi të specializuar për të blerë një shtëpi prej 60 metër katror në qendër, të njëjtin vlerësim që përdori dhe Monitor për Shqipërinë dhe vendet e rajonit./MONITOR

image31554703089image31554703089

Modifikuar më Hënë, 08 Prill 2019 08:50
Login to post comments