Profesori i historisë në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, ka folur për gazetën «Standard» të Vjenës mbi konfliktin shqiptaro-serb, mbi osmanët që nuk i pa kurrë Serbia, sepse sundimtarët osmanë ishin shqiptarë dhe boshnjakë, mbi projektin racist të Beogradit ndaj shqiptarëve, mbi serbët që ishin pakicë në Kosovë edhe në fund të shekullit ’19 dhe mbi marrëdhëniet e tensionuara të shqiptarëve me Turqinë.
Mbi diskutimet mes Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës mbi zgjidhjen e konfliktit shekullor mes serbëve dhe shqiptarëve dhe motivet e tyre.
Oliver Jens Schmitt: Të dy palët i fryjnë kësaj çështjeje, sepse duan të përfitojnë kapital politik. Kjo është një taktikë e moçme dhe e njohur për të gjeneruar vëmendje ndërkombëtare dhe për të siguruar përkrahje nga jashtë dhe brenda. Që të dy (Rama dhe Vuçiq) në vendet e tyre me të drejtë kontestohen si sundimtarë autoritarë, të cilët pezullojnë strukturat demokratike dhe mediat e lira. Ndërkohë një pjesë e popullsisë e ka vërejtur se çfarë duan të fshehin parullat nacionaliste në këtë kontekst.
Mbi çështjen se nga kur ekzistojnë shqiptarët dhe serbët.
Oliver Jens Schmitt: Nacionalistët në të dy anët nisen nga ajo se të dy kombet kanë ekzistuar përherë kështu siç ekzistojnë sot. Shkencëtarët postmodernë perëndimorë, ndërkaq, duan ta dekonstruktojnë këtë të ashtuquajtur primordializëm. Sipas mendimit të tyre kombet janë prodhim i të kaluarës së afërt. Gjërat mbase janë më të ndërlikuara: me gjasë shqiptarët qëmoti e kanë perceptuar veten si grup i veçantë, sepse gjuha e tyre dallon aq shumë nga ajo e fqinjëve të tyre. Në Ballkan përkatësia fetare ka pasur përherë një rëndësi të madhe. Një bashkësi krijohej dhe bëhej e dukshme me shkuarjen në kishë apo në xhami. Ortodoksët sllavë të jugut në Kosovë përherë i kanë vizituar kishat e ritit ortodoks dhe atje janë socializuar në kuptimin kulturor. Pretendimi se shumica e shqiptarëve janë myslimanë, ndërsa serbët përherë paskëshin qenë ortodoksë, shikuar historikisht është e pavërtetë. Sepse në Mesjetë shumica e shqiptarëve në Kosovë ndiqte ritin fetar ortodoks, gjithashtu edhe serbët kaluan në fenë islame. Një nacionalizim i këtyre përkatësive të ndërlikuara ndodhi tek në çerekun e fundit të shekullit të ’19. Domethënë: gjithsesi ka shqiptarë dhe serbë. Por varësisht nga epokat këto nocione kanë domethënie për gjëra të tjera.
Mbi narrativin se konflikti mes serbëve dhe shqiptarëve është i vjetër.
Oliver Jens Schmitt: Në kuptimin nacional-politik narrativi mbi «konfliktin e vjetër» shfaqet në mënyrë të theksuar me Krizën e Madhe të Orientit (1876-1878). Më parë interesat serbe përqendroheshin në Bosnjë. Tek kur Bosnja u pushtua nga Austro-Hungaria më 1878, Serbia qe e shtyrë të dalë nga kjo situatë duke ndërruar planet ekspansioniste të orientohet drejt jugut, ndonëse edhe atëherë serbo-ortodoksët në Kosovë përbënin vetëm një pakicë të popullsisë.
Mbi përfytyrimet që dy popujt kanë për njëri tjetrin.
Oliver Jens Schmitt: Nga njëra anë aktivistët nacionalë serbë i shihnin shqiptarët si «racë më të ulët», por nga ana tjetër edhe si popullsi që ishte e integrueshme në kombin serb. Kjo duket paradoksale. Por teza e arnautashëve, sipas së cilës shqiptarët na qenkan serbë të islamizuar dhe albanizuar, nuk ishte jotipike për Ballkanin. Pretendimi se tjetri në të vërtetë i takon grupit tënd dhe përmes edukimit vetëm duhet të kthehet në identitetin e «vërtetë» e përcakton nacionalizmin në rajon deri më sot – dhe jo vetëm nacionalizmin serb. Meqë ky projekt dështoi, në rastin serb u miratua varianti racist kundër shqiptarëve.
Mbi burimin e racizmit serb ndaj shqiptarëve.
Oliver Jens Schmitt: Në shekullin e ’20 në Ballkan është filluar me furi të tejkalohet trashëgimia perandorake. Ky proces zgjat deri më sot. Projekti nacional serb dëshiron ta harrojë trashëgiminë perandorake, pra atë habsburgase dhe osmane. Në përfytyrimin e Serbisë shqiptarët përfaqësojnë perandorinë e osmanëve. Kjo ka të bëjë edhe me atë se në kohën osmane serbët as që kanë parë me sytë e tyre turq të vërtetë. Përfaqësuesit e Perandorisë Osmane në trevat e banuara me serbë rëndom kanë qenë boshnjakë apo shqiptarë të islamizuar. Vetë shqiptarët kanë një raport të tensionuar ndaj trashëgimisë osmane. Politika e jashtme neoosmane e Turqisë po u qepet shqiptarëve myslimanë duke ua kujtuar pozitën e rëndësishme në Perandori. Nga ana tjetër Lëvizja Kombëtare Shqiptare është themeluar duke u distancuar nga Perandoria Osmane dhe projekti nacional shqiptar bazohej në europianizimin dhe sekularizimin e kombit me shumicë myslimane.
Mbi çështjen se a dihet sa shqiptarë ortodoksë kanë jetuar në Kosovë në shekullin e ‘19.
Oliver Jens Schmitt: Sa i përket numrit nuk mund të kemi përgjigje. E sigurt është se pjesë e ortodoksëve krahas sllavëve ishin edhe arumunët dhe se në Prizren në periudhën e vonshme osmane kishte konflikte mes dy grupeve. Në shekullin e ’15, ndërkaq, regjistrat tatimorë osmanë tregonin se shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës në Mesjetë kanë qenë ortodoksë. Përmes kalimit në islam nga njëra anë dhe përmes akulturimit gjuhësor në miljeun ortodoks nga ana tjetër numri i tyre ra. Por këto procese u zhvilluan nën apo jashtë perceptimit të prodhuesve të burimeve të pakëta, që i kemi në dispozicion. Administrata osmane thjesht nuk interesohej për procese etnike. Myslimanët dhe të krishterët ishin kategori tatimore, për këtë arsye ato edhe u regjistruan kësisoj nga administrata.
Mbi dhunën në Kosovë gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane.
Oliver Jens Schmitt: Më 1912 pasoi pushtimi serb i Kosovës gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Mes viteve 1918 dhe 1927 pati një luftë guerile shqiptare kundër pushtimit të dytë serb. Më 1945 sërish ndodhi lufta gjatë integrimit të tretë të dhunshëm të rajonit në Serbi, kësaj radhe në kuadër të Jugosllavisë komuniste. Mes viteve 1945 dhe 1966 pasoi politika represive e Serbisë ndaj popullsisë shumicë shqiptare. Si në fund të viteve ’30 ashtu edhe nën Titon deri më 1953 Jugosllavia u përpoq t’i detyrojë shqiptarët të emigrojnë në Turqi. Shifrat e sakta vështirë mund të sigurohen, por mes viteve 1918 dhe 1953 mund të jenë larguar nën presion në drejtim të Lindjes gjithsej 200 mijë shqiptarë. Edhe serbët kanë historinë e tyre të emigrimit të detyruar. Natyrisht më 1941 shqiptarët nuk i dëbuan serbët e Kosovës, por kolonët serbë, të cilët shteti jugosllav i kishte dërguar në Kosovë. Dhe largimi i serbëve pas vitit 1945 ndodhi në radhë të parë për arsye ekonomike: Kosova ishte streha më e varfër e Jugosllavisë dhe standardi jetësor në Serbi ishte dukshëm më i lartë. Këtë emigrim nacionalistët serbë në atmosferën tejet të emocionalizuar të viteve ’80 e interpretojnë si pjesë të një gjoja plani gjenocidial shqiptar.
Mbi Edi Ramën dhe deklaratat e tij gjithnjë e më të shpeshta për «Shqipërinë e Madhe».
Oliver Jens Schmitt: Është e çuditshme se si Rama po shfaqet si lider i të gjithë shqiptarëve dhe po e lë anash qeverinë e Kosovës. Me këtë sjellje ai po përpiqet të fitojë prestigj në botën e jashtme dhe në politikën e brendshme. Por ai qeveris një vend nga i cili – sipas anketave – dëshiron të largohet shumica e popullsisë. Një vend që është bërë prodhuesi më i rëndësishëm i kanabisit në Europë dhe ku krimi i organizuar me gjasë ka futur në rrjetin e vet dy ministra të brendshëm – vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, i cili befas dha dorëheqje në tetor, tashmë është dënuar, ndërsa kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri së fundi ka filluar procesi gjyqësor. Kundër stilit autoritar të udhëheqjes me javë kanë protestuar studentët, por gati askush nuk raporton për këtë. Për shkak të dijes tejet të kufizuar të Perëndimit mbi Shqipërinë, Rama mund ta drejtojë vendin si një Blackbox. Në Perëndim ai po portretohet si artist dhe intelektual.
(Marrë me shkurtime nga «Der Standard». Përktheu nga gjermanishtja: E. Robelli)