Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim, senatorin italian dhe përfaqësuesin e Partisë “Lega”, z.Manuel Vescovi, i cili është edhe anëtar i Grupit të Miqësisë Itali-Shqipëri në Senatin Italian.
Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të vendit fqinj në të gjitha proceset e rëndësishme politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore në vendin tonë.
Presidenti Meta theksoi se marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe popujve tanë duhen të forcohen edhe më tej në të ardhmen, veçanërisht në planin ekonomik, me fokus rritjen e investimeve italiane në Shqipëri.
Presidenti Meta u shpreh i lumtur për rolin në rritje të komunitetit shqiptar në Itali, që veç të tjerave e tregon dhe kandidimi i përfaqësuesve të spikatur të tij në zgjedhjet e ardhshme europiane për forcat kryesore politike.
Senatori Vescovi siguroi Presidentin Meta për angazhimin e tij në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë në të gjitha fushat e bashkëpunimit.