Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në News 24, ka deklaruar se në protestë nuk ka patur asnjë polic të dhunuar, dhe gjithçka ka qenë një mashtrim i madh i Policisë së Shtetit.
Ai tha se ditën kur anëtarë të PD kanë shkuar në spital të kërkojnë të vizitojnë numrin 3 të partisë, Sait Dollapin, kanë kërkuar të vizitojnë dhe policët e dhunuar, por ka rezultuar se nuk ka qenë asnjë polic i shtruar në spital
‘Kur shkuam në spital për të vizituar Sekretarin Organizativ të PD, i cili u dhunua barbarisht, kemi kërkuar gjithashtu të vizitojmë edhe policët e dëmtuar, por realisht aty nuk kishte asnjë polic të dhunuar. Fakti që e thotë policia e Shtetit por që nuk provohet as nga gazetarët, të verifikojë në spital ku janë punonjësit e dhunuar, pra është një mashtrim i bërë nga policia. Ka qenë avokati i Popullit i cili ka kërkuar gjithashtu të njëjtën gjë, por serish ka rezultuar që nuk ka patur asnjë polic të dhunuar’, deklaroi Bardhi.