Të mërkurën, në Everest ndodhi një nga episodet më të pazakonta në historinë e këtij mali.
Më shumë se 200 alpinistë po i drejtoheshin majës së tij, duke krijuar trafik. Në këtë mënyrë, ata u detyruan që të prisnin në lartësi shumë të madhe duke rrezikuar ngrirjen.
Fotoja e shkrepur nga njëri prej alpinistëve tregon radhën e njerëzve njësoj sikur të ishin në hyrjen e një kinemaje.
Departamenti i Turizmit të Nepalit ka dhënë 378 leje ngjitjeje duke u nisur nga moti i mirë, një rekord historik ky që nga ngjitja e parë e suksesshme në këtë mal në vitin 1953. Shumica e alpinistëve janë pjesë e udhëtimeve komerciale. Por, një dyndje e tillë bën që ngjitja të jetë më e vështirë dhe e rrezikshme, pasi në rastin e alpinistëve të rinj, rezervat e oksigjenit artificial mund të mbarojnë para se ata të kenë arritur në majë.