Nisja e operacionit të Frontex rezultoi me 24 klandestinë të ndaluar në kufirin Greqi-Shqipëri. Për shkak të fluksit të shtuar të klandestinëve që përdorin territorin shqiptar për të hyrë në BE, 50 forca të Agjencisë Evropiane janë vendosur për herë të parë jashtë kufijve të unionit. Për të frenuar fenomenin do të kenë në dispozicion mjetet më të sofistikuara të kohës.
Misioni i Frontex në kufijtë e Shqipërisë nisi me rezultate. 24 emigrantë të paligjshëm janë ndaluar në kufirin e gjelbër mes Shqipërisë e Greqisë.
Grupi i klandestinëve që u kap të premten ishin nisur nga Siria dhe Irani dhe me tre fëmijë me vete, ata synonin të kalonin përmes Shqipërisë drejt vendeve të BE-së.
Ky është një nga grupet e përbashkëta të patrullimit që është vendosur në kufirin juglindor.
Kamera e RTV Ora në Korçë ishte bashkë me ta në fshatin Trestenik.
Në krah të kolegëve shqiptarë janë 29 oficerë të Frontex nga 11 vende të ndryshme të Europës.
Zona cilësohet si një prej pikave kryesore të hyrjes së klandestinëve, ndaj kontrollet këtu janë të rrepta.
Kanë makina dhe pajisje që u mundësojnë të evidentojnë çdo levizje të dyshimtë.
50 forca të Frontex kanë nisur për herë të parë kontrollet jashtë kufijve të unionit evropian, duke u vendosur në kufijtë shqiptarë në kuadër të një misioni për të ndaluar valën e emigracionit dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, që deri tani nuk janë evidentuar.