Vettingu/Sindikata e policisë: Disa nene cënojnë të drejtat e njeriut

Hënë, 16 Prill 2018 19:36

Edhe ligji i Vettingut në radhët e policisë do të duhet të kalojë më parë nga Gjykata Kushtetuese, pas padisë që pritet të bëjë sindikata e policisë. Sipas kreut të kësaj sindikate, Sadedin Fishta, në të paktën dy nene të formularit të vetëdeklarimit, ka shkelje të të drejtave të njeriut.

Ashtu si Vettingu në sistemin e drejtësisë edhe ai në rradhët e policisë do të kontestohet në gjykatën Kushtetuese. Në një intervistë për ABC News, kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadedin Fishta, theksoi se, në formularet e Vettingut, ka shumë pyetje që cënojnë të drejtat e njeriut.

“Ka mospërputhje të të drejtave dhe disa kërkesave që ka në formularët e deklarimit. Atje ku ka mospërtputhje ne sigurisht do t;i referohemi Gjykatës Kushtetuese”.

Një problem për Vettingun në polici, sipas kreut të sindikatës, është edhe plotësimi i formularëve.

“Vetëm për kohën që duhet për të mbledhur dokumentacion unë them që punonjësit e policisë mund t’i duhen deri në 20 ditë”.

Sipas Fishtës, Vettingu është i domosdoshëm në polici, pasi ka patur akuza për jo pak efektive për përfshirje në aktivitete kriminale dhe në narkotrafik.

Mbi 12 mijë efektivë të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat prej datës 5 Prill kanë filluar të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit. Procesi i Vettingut mbështetet në tri kritere; pastërtia e figurës, pasuria dhe aftësitë profesionale.

Login to post comments