“Është tallje me shtetin t’i kërkosh Presidentit të rishikojë vendimin”- Fuga: Mbledhja e Akademisë së Shkencave e paligjshme

Premte, 19 July 2019 19:39

Akademiku Artan Fuga e konsideron të paligjshme mbledhjen e Akademisë së Shkencave, sipas të cilit në statutin e institucionit nuk ekzistojnë mbledhjet e jashtëzakonshme.

Fuga thotë se ka marrë pjesë në mbledhje vetëm për t’ua thënë në sy anëtarëve se po veprojnë kundër ligjit.

Në një intervistë për “Syritv”, ai shtoi se vetëm 22 nga 44 anëtarët kanë votuar për t’i kërkuar Presidentit Meta të rishikojë vendimin, duke nënvizuar se kjo është tallje me shtetin shqiptar, pasi sipas tij, askund në legjislacionin shqiptar nuk ekziston koncepti që Presidentt të “rikonsiderojë dekretin”.

Artan Fuga: Ishte një ngjarje e shëmtuar kur me vendim personal të një njeriu të vetëm që nuk konsulton as Akademinë, as Asamblenë merr një vendim personal për të përjashtuar gazetarët dhe mediat. Një gjest i shëmtuar, një akt i paprecedentë dhe krejtësisht në kundërshtim me të drejtat e qytetarëve për të marrë informacion. Një akademi që ka qëllimin për të bërë transparent shkencën nuk bën transparent mbledhjet e veta. Sikur ishin mbledhur një grup puçistësh dhe konspiracionistësh në një organizatë ilegale që do të fshihet ndaj opinionit publik. Një vendim i marrë në mënyrë personale nga një person, Vasil Tole, që unë e denoncova si një veprim arbitrar.

Unë luftoj për institucione dhe akademi ku ai që është kryetar nuk është padron, është një midis të barabartëve.

Kjo është një mbledhje e paligjshme si shumë mbledhje të paligjshme në Akademinë e Shkencave, sikur janë bërë shumë votime të paligjshme. Unë kam pranuar të marr pjesë në një mbledhje të paligjshme. Unë mora pjesë atje për t’ua thënë në sy që kjo mbledhje është e paligjshme për arsye se flitet për një mbledhje të jashtëzakonshme. Nuk ka në statutin e Akademisë mbledhje të jashtëzakonshme që i ngjan atyre pleniumeve të jashtëzakonshme të viteve ’70, ku dënoheshin ushtarakë, intelektualë. Nuk ka mbledhje të jashtëzakonshme në Akademinë e Shkencave. Ishte një mbledhje si në kafe. E dyta, thirrja është bërë në një ditë pushimi. Nuk merren vendimet në ditë pushimi.

Vasil Tole tha se e u mblodhëm kështu meqë na erdh vendimi të premten. Mund të ishim mbledhur të hënën. Mblidhemi në atë mbledhje me vendim të Këshilli Ekzekutiv të Akademisë. Kjo intancë nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhjen. Aty ishin gjithmonë pjesëmarrës vetëm 20 akademikë, erdhën edhe dy. Pra 22 nga 44. U thashë që jemi duke kërkuar të votojmë që Presidenti ta rikonsiderojë dekretin për mos emërimin e kryetarit të zgjedhur. Çfarë koncepti është ky? Ku e gjeni konceptin në drejtësinë shqiptare të rikonsiderimin? Unë kujtova se isha vetëm. Ishte edhe vetmja juriste që kishte të njëjtin qëndrim. Mbledhje e paligjshme. Imagjino pastaj vendimi.

Një vendim ku i kërkohet Presidentit të Republikës ta rishikojë vendimin, a thua se Presidenti i Republikës, (unë nuk jam nga ata që mbroj Presidentin), ai është autoriteti më i lartë i shtetit, por t’i rikërkosh kryetarit të shtetit pas pesë ditësh që një vendim që ka marrë se mund të jetë ndonjë lapsus, edhe mund të ketë shkarë ndonjë gabim, kjo është një tallje për shtetin shqiptar dhe unë nuk jam gati të tallem me shtetin shqiptar dhe do të luftoj deri në fund që kjo Akademi të vijë brenda ligjit, të respektojë ligjin dhe konform shtetin të së drejtës.

Login to post comments