Një ditë pas publikimit të raportit të DASH, i cili e shpall Tom Doshin “non grata”, duke i mos i lejuar atij dhe familjes së tij të hyjnë në shtetet amerikane, deputeti është shfaqur sot i qetë, ndërsa merrte pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.
Ndërsa është pyetur nga gazetarët për qëndrimin e tij sa i takon raportit të DASH që e akuzon atë si një deputet të përfshirë në çështje korruptive, Doshi u është përgjigjur shumë shkurt mediave, duke u thënë se nuk ka pse të japë shpjegime.
“Jam shprehur një herë, pse përditë do shprehem unë? Për çfarë t’u sqaroj, s’kam qenë ministër. Pse të jap shpjegime. Ika se kam një takim, e morët përgjigjen”, është shprehur shkurt deputeti Doshi.
Në vendimin e DASH thuhet: “Anëtarit të Parlamentit të Shqipërisë, Tom Doshi i ndalohet hyrja në SHBA, për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni.
Ndërkaq, në vendimin e DASH thuhet se “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë”.