Partia Demokratike denoncoi sot nisjen e një procedure korruptive të tenderit për uniformat e policisë në vlerën 30 milion euro, për të cilin nuk do respektohet afati minimal prej 52 ditëve. Kjo procedurë vjen fill pas ndërrimit të sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie. Pikërisht largimi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Dritan Palnikaj dhe zëvendësimi me një usta tenderash si Plarent Ndreca nuk ishte një lëvizje me karakter normal. Pavarësisht se ministri Lleshaj e “dekoroi” pas largimit Dritan Palnikajn, mësohet se ky i fundit nuk ka pranuar të jetë pjesë e vendimmarrjeve antiligjore të dëshiruara nga Lleshaj. Dihet se sekretari i përgjithshëm është personi që nënshkruan aktet e tenderimeve të këtij lloji. Ministri, në çdo rast, ka mundësi të fshihet pikërisht pas nënshkrimit të sekretarit të përgjithshëm. Nuk u deshëm shumë ditë pra për të kuptuar se lëvizja e Palnikajt lidhet me tenderimin në fjalë. Ndërkohë, ende nuk dihet çfarë po bën prokuroria me kallëzimin penal ndaj Plarent Ndrecës në kohën kur ku ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Lleshaj kësisoj, kërkon t’i trashë zullumin Ndrecës. Në fund të fundit dihet që Lleshaj do të thotë se nuk dinte gjë se çështjen e kishte nën përgjegjësi Ndreca. Por a e kupton Ndreca këtë?