Një video shokoi opinionin publik pak ditë më parë, pasi aty shfaqej një burrë që dhunonte barbarisht një grua në ambientetet e jashtme të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha thotë se burri në video është Ramazan Rraja.
“E morët vesh o shokë dhe shoqe? Ai tipi që u shfaq tek ‘JOQ Albania’ duke rrahur barbarisht një grua quhet Ramazan Xhelal Rraja, vitlindja 1993. Është referuar në gjendje të lirë për hetime të mëtejshme në prokurori”, shkruan Hoxha.
Ramazan Rraja është nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Për ngjarjen ka reaguar edhe policia, që njofton se ka shoqëruar 26 vjeçarin dhe e ka proceduar penalisht.
Vetë deputeti Rraja dhe familja e tij u vënë në qendër të vëmendjes një vit më parë kur u publikua skandali i Xhisiela Malokut. Ishte polici Emiljano Nuhu, i larguar nga Shqipëria, që bëri publik çështjen “Xhisiela” dhe ku akuzohej Rexhep Rraja, djali i deputetit, për dhunë të vazhdueshme ndaj ish-të dashurës.
Edhe Ramazani, që shfaqet në videon e fundit, u përmend në atë histori nga polici Nuhu, i cili pretendonte se ishte kërcënuar nga nipi i deputetit kur kishte marrë përsipër çështjen e Xhisielës.
Rasti i Xhisiela Malokut u mbyll me tërheqjen e vajzës nga denoncimet për dhunë.