Arrestohen në aeroportin e Rinasit, dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë dhe Kosovës. Kapja e tyre u bë nga Policia Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Policia e Rinasit ka bërë kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të dy shtetasve, të cilët gjatë përpunimit të dokumentacionit kanë rezultuar persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe konkretisht:
Është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi shqiptar A.P., 40 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Roma.
Gjykata e Venecias, Itali, ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
Gjithashtu po në Rinas u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës i shtetasit kosovar R.Xh., 39 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK, pasi autoritetet gjyqësore kosovare, kanë lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi". Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën dhe Policinë e Kosovës po vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.