Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka rikonfirmuar masat e sigurisë për të arrestuarit në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit.
Të arrestuarit, Efthimios Efthimiu, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj, Melvi Dinellari do të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimeve. Ata akuzohen për vrasjen e Devi Kasmit më 29 janar por e apeluan masën e sigurisë të dhënë nga shkalla e parë pasi u shprehen jo fajtorë.
Elton Hoxhallari, Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Efthymios Efthimiou kërkuan nga gjykata e Apelit lirimin nga burgu, por trupa gjykuese vendosi t’i lërë në burg.
Avokati grek i të akuzuarit, Efthymios Efthimiou ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm dhe procesi duhet të bazohet në prova dhe jo spekulime.
Po ashtu në burg ka mbetur edhe Mario Meshini, me të cilin Kasmi do të takohej në momentin që ndodhi vrasja.
VRASJA
Devi Kasmi u ekzekutua me 4 plumba mbrëmjen e 29 janarit në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’ në afërsi të Urgjencës së Pediatrisë. Atentatorët që thuhet se kanë qenë hipur në një motor dhe të pajisur me skafandra pritën deri sa objektivi i tyre doli nga banesa, ndërsa qëlluan ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. Fill pas krimit ata u larguan me shpejtësi në drejtim të SHISH, duke fshehur kështu gjurmët, pasi përfituan edhe nga errësira në vendin ku ndodhi vrasja. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ngjarja ka të bëjë me konflikte për trafik droge, pasi dyshohet se viktima ishte përfshirë në aktivitete kriminale. Po ashtu, Devi Kasmi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Spanja, shtet ku jetonte prej kohësh.