Ndërsa gjenerali i deleguar i Rilindjes si koordinator politik në Lezhë gjen kohën të sulmojë mediat ndërkombëtare, që shkruajnë për riaktivizimin e grupeve kriminale të kanabisit, vendi numëron çdo ditë viktima të plumbave.
Për policinë janë vetëm statistikë, për drejtuesit e Ministrisë së Brendshme “ngjarje rutinë”, por për qytetarët është koha e pasigurisë. Rendi është vënë seriozisht në pikëpyetje, paçka se në këtë rast kryeministri e ka gati përgjigjen: “hëngshin kokat e tyre”.
Për vetëm një javë vendi është larë me gjakun e pesë personave dhe asnjë nuk është arrestuar për këto krime. Vetëm gjatë ditës së sotme u shënuan dy viktima. Një 23-vjeçar u gjet i therur pranë një kanali në Fshatin Sulaj të Fierit dhe pa kaluar pak orë nga ky krim në qendër te Rrëshenit në sy të fëmijëve të tij ekzekutohet me disa plumba një 47-vjeçar. Një javë më parë në Vlorë, njëri pas tjetrit mbetën të vrarë Arben Beqiraj dhe Laver Tozaj. Beqiraj u qëllua në mes të ditës e para syve të dhjetëra dëshmitarëve që zgjodhën detin për të pushuar, por u bënë dëshmitarë të lumenjve të gjakut. Po atë ditë, pak kilometra më larg, në Selenicë të Vlorës vritet me tre plumba në pragun e banesës 47-vjeçari Laver Tozaj. Pa iu larguar qyteteve bregdetare, një 40-vjeçar dha frymë në oborrin e banesës së tij kur disa persona të maskuar zbrazën armët mbi te. Në datën 1 gusht në Durrës, në derën e banesës u ekzekutua me breshëri Feriz Bardhi.
“Konflikte personale apo prishje të pazareve të drogës”, janë këto dyshimet mbi shkaqet e vrasjeve. Kjo është pasoja e kanabizimit të vendit me imazhin qeveritar. Shqipëria u kthye në zonën më problematike të Europës përsa i përket kultivimit të kanabisit. Vitet 2016-2017 thyen çdo rekord historik të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Një pjesë e mirë e këtyre parave po pastrohen nga “lavatriçja qeverisë”, duke i investuar në fushën e ndërtimit, veçanërisht në Tiranë. Krimi është ulur këmbëkryq në këtë mes të sezonit turistik pasi edhe policia është e zënë me “çështje serioze”, në sekuestrimin e shezlonëve dhe çadrave të plazhit. Boldnews