Amazona po digjet: E gjitha kjo, skenar i OJQ-ve?

E Enjte, 22 August 2019 19:36

Zjarret në pyjet e Amazonës janë aq intensive sa tymi ka mbuluar qytete që gjenden edhe mijëra kilometra larg.

Këto zjarre, raportohet se janë aq të mëdha sa që mund të shihen edhe nga hapësira. Ekspertët thonë se e gjithë kjo mund të ketë pasoja të rënda te klima, ndërkohë, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka fajësuar organizatat joqeveritare se kanë nisur flakët.

“Sa i takon zjarreve në Amazonë, unë kam përshtypjen se ato mund të jenë shkaktuar nga OJQ-të sepse atyre u duheshin para. Çfarë qëllimi kishin? Të hapnin probleme për Brazilin”, tha Bolsonaro.

Bolsonaro, në mënyrë të vazhdueshme është kritikuar se nuk ka mbrojtur pyllin më të madh të botës dhe se ka promovuar një politikë shpyllëzimi, pro bizneseve. Amazona është një magazinë jetësore e karbonit, që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.

Sipas qendrës hapësinore të kërkimeve, të Brazilit, 72.843 zjarre kanë prekur Amazonën, një rritje kjo prej 83 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar.

Ashtu siç po ndodh në brazil, edhe në Bolivi, zjarret po shkrumbojnë hapësira të mëdha toke. Sipas zyrtarëve bolivianë, rreth 500 mijë hektarë pyje janë shndërruar deri më tani në hi.

Login to post comments