Në plagët e të sëmurëve është Jezusi, që na fton t’i mjekojmë: të sëmurët janë të zgjedhurit e Kishës, nuk janë hedhurina”. Ky, një nga fragmentet e forta të katekizmit të Papës në audiencën e sotme të përgjithshme. Më pas, edhe një thirrje, që të lutemi për paqen, për të mos u përsëritur kurrë më ngjarjet tragjike, shkaktuar nga urrejtja para 80 vjetësh, kur niste Lufta II Botërore, me sulmin e parë kundër Polonisë, më 1 shtator 1939.
R. SH. - Vatikan
Mos u trembni përballë atij “që na urdhëron të heshtim, na sulmon me shpifje e nganjëherë arrin deri në atë pikë, sa të na rrezikojë edhe jetën". Kjo thirrja, që u drejtoi sot Françesku besimtarëve gjatë audiencës së përgjithshme. Prej këndej, ftesa që t’i kërkojmë Zotit “të na e forcojë shpirtin”, për të qenë të sigurt se Atë e kemi gjithnjë pranë.
Reflektimi i sotëm u përqendrua mbi misionin e Pjetrit, dëshmitar i parë i të Ngjallurit, që i hap udhën predikimit të kerygmës - vdekjes e ngjalljes së Jezusit - e, si Krishti, kalon ndërmjet të sëmurëve, duke i marrë mbi vete dhimbjet e tyre, plagët, sëmundjet, gjymtimet. Françesku vijoi, kështu, ciklin e katekizmit kushtuar “Veprave të Apostujve”, nisur në majin e kaluar, pas reflektimeve kushtuar Atynës .
Duhet t’i bindemi Zotit, para njerëzve
Por - vëren Papa - forca shëruese e Pjetrit ndiqet me mllef e mëri nga saduçenjtë. I shikonin me sytë e tyre mrekullitë e bëra jo “me magji”, por në emër të Jezusit, e nuk donin t’i pranonin. Pikërisht nga inati e zilia i mbyllin në burg apostujt që, megjithatë, lirohen mrkullisht. Zoti, në të cilin besojnë, ua copëton zinxhirët, ua shemb dyert e burgut! Atëhere nuk i lejojnë të përhapin mësimin e ri të ringjalljes. Duke e marrë shtytjen nga kjo ngjarje, sipas shembullit të Pjetrit, Papa vë në dukje çka duhet të thotë i krishteri. I krishteri është i thirrur të thotë:
“Unë i bindem Zotit më parë, pastaj njerëzve’: kjo është përgjigja e madhe kristiane! Kjo do të thotë ta dëgjosh Zotin pa rezerva, pa vonesa, pa llogaritje. Do të thotë ta dëgjosh Atë, që të bëhesh i aftë për të lidhur besën me Të e me ata, që ndeshim në shtegtimin tonë. T’i kërkojmë edhe ne Shpirtit Shenjt forcën për të mos u trembur fare përballë atij, që na urdhëron të heshtim, na mbulon me shpifje e arrin deri atje, sa të na rrezikojë edhe jetën. Nuk duhet të kemi frikë! T’i lutemi Zotit të na e forcojë shpirtin, që të jemi të sigurt, çdo çast, për praninë ngushëlluese të Tij përkrah nesh”.
Në plagët e të sëmurëve është Jezusi
Peshkatari i Galilesë e lë Krishtin të duket - vërejti Papa - duke nënvizuar se Pjetri nuk bën asgjë nga vetja. Në udhën e tij e ndjek pas hija e Krishtit. Ajo bëhet ‘prekje shëruese’, përhap dashurinë e të Ngjallurit, që përkulet mbi të sëmurët e u rikthen jetën, dinjitetin, shëlbimin:
“Në këtë mënyrë, Zoti tregon afërsinë e Tij e, nga plagët e bijve të vet – ta themi me një shprehje më të vështirë - ‘bën vendin teologjik të dashurisë së tij”(Meditim i Meshës të mëngjesit në Shën Martë, 14. 12. 2017). Në plagët e të sëmurëve, në ligështitë, që të pengojnë të përparosh në jetë, është gjithnjë prania e Jezusit. Plaga e të sëmurit, është plaga e Jezusit. Është vetë Jezusi ai, që i bën thirrje secilit nga ne për t’i përkujdesur, për t’i ndihmuar, për t’i shëruar të sëmurët”.
I krishteri duhet të kujdeset për të sëmurët
Në Kapitullin e pestë të Veprave të Apostujve, Kisha na paraqitet si “spital fushor”, që ua hap dyert të sëmurëve - vijon Françesku - i cili, duke folur lirisht, nënvizoi se pikërisht të sëmurët “janë të zgjedhurit për Kishën, për zemrën meshtarake, për të gjithë besimtarët”. Nuk janë për t’u hedhur: përkundrazi! Janë për t’u mjekuar, për t’u kujdesur. Janë objekt i shqetësimit të krishterë. Që në fillim Papa pati vënë në dukje se Luka na përshkruan vendet, që bashkësia e krishterë i shikonte si gurrat e jetës. Portikun e Salomonit për shembull. Duke folur edhe për shenjat dhe mrekullitë, që i shoqërojnë fjalët e Apostujve.
Thirrja për paqe
Gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve polakë, Papa i ftoi të gjithë të luten për paqen, që të mos përsëriten kurrë më ngjarjet e shkaktuara nga urrejtja, me pasojë shkatërrimin, vuajtjen, vdekjen. Kujtoi, kështu, 80-vjetorin e fillimit të Luftës II Botërore, më 1 shtator, kur nazistët shkelën kufijtë e Polonisë. E pikërisht në këtë vend, që i provoi i pari tmerret e luftës, po zhvillohen një sërë veprimtarish përkujtimore, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve nga e gjithë bota. E fortë, pastaj, thirrja e Papës për t’u lutur, me këtë rast, që paqja të mbretërojë ndër zemrat e gjithë njerëzve, domethënë, në mbarë botën!
Kujtimi i Shën Agostinit
Françesku përshëndeti, në përfundim, edhe 500 pjesëmarrësit e shtegtimit të Kishës greko-katolike ukrainase, me kryeipeshkvin e madh Svietoslav. Kujtoi edhe festën e sotme liturgjike të Shën Agostinit, ipeshkëv e doktor i Kishës, shoqëruar me nxitjen për t’u frymëzuar prej tij e për të rizbuluar “udhën shpirtërore, që të prin drejt Zotit e të afërmit më nevojtar”.